BDI: Nuk lëshojmë pe për NATO-n

Kryesitë e degëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, në një kumtesë për media ka njoftuar se kryesia dhe anëtarët e këshillave vendorë në të gjithë vendin ku BDI-ja ka shtrirje, i kanë dhanë mbështetje të fuqishme marrëveshjes së BDI-së të arritur me VMRO-DPMNE-në, për krijimin e qeverisë së re.

Këshillat vendorë, degët e të gjitha qyteteve ku BDI-ja ka degët dhe nëndegët e saj, kanë përshëndetur vendimin e Kryesisë Qendrore të BDI-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion, si parti fituese absolute në kampin shqiptar, me partinë fituese në kampin maqedonas, duke i dhënë njëherësh mbështetje të fuqishme marrëveshjes së arritur, thuhet në kumtesë.

“Kryetarët e degëve të Gostivarit, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Kërçovës dhe gjithë degëve tjera i kanë sqaruar aktivit politik të BDI-së se synimi kryesor i shqiptarëve por edhe i BDI-së është anëtarësimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe se në këtë moment është shumë i rëndësishëm uniteti dhe mbështetja kësaj rrugë me perspektivë për shqiptarët dhe për Republikën e Maqedonisë.

Për sa i përket procesit zgjedhor në gjithë Maqedoninë, strukturat e BDI-së në mbarë vendin vlerësojnë zgjedhjet si më korrektet dhe më të mirat që janë organizuar ndonjëherë.
Bashkimi Demokratik për Integrim pohon me vendosmërinë më të madhe se nuk tërhiqet nga premtimet e dhëna dhe nga platforma zgjedhore, porse deri në fund të këtij viti do t’i japë përparësi dhe do të përqendrohet në procesin e integrimit në NATO dhe në fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, si prioritet kryesor i partisë dhe si kërkesë e qytetarëve të Maqedonisë dhe në veçanti e shqiptarëve.

Sikurse e di mbarë opinioni, kanë qenë pikërisht proceset integruese arsyeja që Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe tani është koha që të gjitha kapacitetet, potencialet dhe mundësitë tona të vihen në funksion të realizimit të këtij përcaktimi.

Negociatat për çështjet e tjera, si harmonizimi i platformës, pozicionet dhe principet e funksionimit të koalicionit do të vazhdojnë të zhvillohen dhe për epilogun final opinioni dhe aktivi politik i BDI-së, do të njoftohet në mënyrë plotësuese”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Back to top button