Universitetet në Kosovë hapin dyert për studentët e rinj

Radhë të gjata nga aplikuesit që pretendojnë të fitojnë titullin e studentit, janë krijuar në njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, që në ditën e parë të hapjes së konkursit për pranim të studentëve të rinj.

Edhe këtë vit, Fakulteti i Filologjisë ishte adresa e shumë pretendentëve për të marrë një INDEX.

Të gjithë janë në pritje që të dorëzojnë sa më shpejt aplikacionet dhe të presin rezultat të mirë, raporton KTV.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka thënë se edhe këtë vit interesimi më i madh po vërehet në departamentet për gjuhë të huaja, por edhe atë të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Sipas saj, procedura po shkon në rregull dhe çdo gjë do të jetë transparente deri në fund.

Universiteti i Prishtinës shpeshherë kritikohet se ka numër të madh të studentëve krahas kapacitetit që e ka për shkollim të mirëfilltë të të gjithë atyre.

Këtë e pohon edhe prorektori për mësim në Universitetin “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti.

Sipas tij, UP-ja tashmë ka filluar të reduktojë numrin e të pranuarve, që dalëngadalë standardi i pranimit të shkojë krahas standardit që e ka UP-ja.

Konkursi për pranimin e studentëve të rinj do të jetë i hapur deri me datën 17 korrik, ku më pas do të organizohet edhe provimi pranues për të gjithë ata që kanë konkurruar.

Më së largu deri në fund të këtij muaji, sipas zyrtarëve të UP-së, do të dalin rezultatet e pranimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button