Mbi 400 motoçiklistë nga BeH, rajoni dhe Evropa nisen për në Srebrenicë

 Më shumë se 400 pjesëmarrës të Moto Maratonës së 6-të Ndërkombëtare Srebrenica 2017 nën parullën “Të mos harrohet dhe të mos përsëritet” u nisën sot nga Sarajeva për në Srebrenicë për në ceremoninë mortore në Potoçar, me rastin e shënimit të 11 korrikut, 22-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e pjesëmarrësve në maratonën janë motoçiklistë nga BeH, Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Italia, Suedia, Libia, Zvicra dhe Turqia.

Ndonëse nisja e tyre nga Sarajeva u planifikua rreth orës 10:00, pjesëmarrësit e moto maratonës u nisën më vonë, ndërsa arsyeja për këtë ishte vonesa e grupit prej rreth 50 motoçiklistëve nga Turqia, të cilët mbrëmë në Mal të Zi pësuan një aksident në rrugë, ku asnjë nuk është lënduar. “Kur shihni për çfarë bëhet fjalë dhe sa motoçiklistë ka, kur shihni nga sa vende arrijnë njerëzit, kur të shihni gjithë këtë, sigurisht se edhe vitin tjetër do të kemi numër edhe më të madh dhe sigurisht do të bëjmë bashkëpunim edhe më të mirë”, tha Enver Suliç, njëri nga organizatorët.

Ai më pas tha se përcjellin mesazh paqeje, si dhe kjo asnjëherë më mos të përsëritet. “Dërgojmë mesazh paqeje, mesazh që kjo të mos harrohet, të mos përsëritet. Të gjithë ne që kemi mundësi u prijmë motoçiklistëve të rinj, marrim fëmijët tanë që të shohin se për çfarë bëhet fjalë, që thjesht t’ua mbjellim dhe t’ua lëmë amanet, t’ua transmetojnë që edhe ata të vazhdojnë me këtë projekt dhe të zgjasë derisa sa ka motoçikleta”, porositi Suliç.

Një nga pjesëmarrëset e maratonës është edhe Maria Elene nga Milano, për të cilën kjo është hera e dytë që merr pjesë në ceremoninë në Potoçar. Në një deklaratë për AA ajo theksoi se është shumë e pikëlluar për luftën në Bosnjë e Hercegovinë dhe gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa nga Sarajeva dëshiron që botës t’i përcjell mesazhin që luftërat të parandalohen dhe ndalen.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button