Savevski: Premtime boshe të BDI, anëtarësim në NATO vetëm kur të zgjidhet emri

Njohësi i çështjeve politike, Zdravko Savevski, thotë se marrëveshja ndërmjet dy partive për bashkëqeverisje, ka konfirmuar tashmë të gjitha parashikimet se kriza mes tyre ishte orkestruar dhe se dy subjektet qëllim parësor kanë pasur vazhdimin e mandatit qeveritar.
 
“E gjithë kjo tregon se ato më tepër kanë qenë të interesuara për ndarjen e pushtetit, sesa për realizimin e programeve të tyre. Pra, pjesëmarrja në qeveri dhe përfitimet materiale janë parësore për këto parti, të cilat tani heqin dorë nga ajo që kishin deklaruar më parë duke vërtetuar se këtë e kanë bërë vetëm sa për të fituar sa më shumë vota”,deklaroi për Radio Evropa e Lirë, Savevski.
 
Ndërsa, sa i përket çështjes së integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, që është premtimi i vetëm i dy partive në komunikatën e publikuar, Savevski thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të arrihet në atë moment kur vendi do të përmbush kriterin kryesor, zgjidhjen e çështjes së emrit.
 
“Deklaratat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO janë fluskulë dhe asnjë më shumë. Premtime të tilla po dëgjojmë tash e sa vjet dhe nuk do të realizohen dhe këtë e dinë edhe vetë partitë politike se anëtarësimi në NATO nuk varet nga dëshira apo marrëveshja e këtillë për bashkëqeverisje, por nga përmbushja e kritereve tashmë të njohura”, thotë Savevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button