Avion dhe drogë në Divjakë, pranga italianit dhe shqiptarit

Një avion i mbetur në rërën e Divjakës, një pilot i hetuar për mashtrim në Itali, një mjet i dyshimtë, disa çanta me drogë të braktisura dhe një emigrant shqiptar që jetonte në Itali dhe që kishte hyrë në të njëjtën ditë me avionin në Shqipëri. Këto pak të dhëna, kanë mjaftuar për të ngritur në këmbë gjithë aktorët përgjegjës dhe politikë, ndërsa Divjaka dhe mundësia e trafikimit të lëndës narkotike me mjete të sofistikuara, e ka kthyer ditën e djeshme në një betejë deklaratash dhe të dhënash. Avioni privat mësohet se kishte hyrë në vendin tonë me 8 maj dhe sipas të dhënave zyrtare ai ka marrë lejen e fluturimit në hapësirën tonë me 5 maj, transmeton shekulli.

Ditën e djeshme, ai mësohet, sërish referuar deklaratave zyrtare të dala nga Aviacioni Civil, ka përgatitur fluturimin për në zonat e Jugut; një fluturim panoramik. Mirëpo, drejtuesi i mjetit ajror, ka bërë ulje të detyruar në Divjakë, ku edhe ka pësuar një avari në njërën nga gomat. Dyshimi është dyfishuar, kur sipas të dhënave zyrtare, në Divjakë, në një rrugë tjetër që të çonte në vendin ku gjendej avioni i prishur është pikasur një mjet.

Mjeti është ndaluar dhe bashkë me të edhe personi. Forcat e shumta policore kanë bërë krehje të të gjithë zonës dhe sipas të dhënave të policisë ata kanë hasur disa çanta me lëndë narkotike, të cilat janë gjetur të braktisura në tri vende të ndryshme. Personi që është prangosur, mësohet se nuk ka patur asnjë material të dyshimtë në makinën e tij të bllokuar dhe që shikoni në foto, por atij iu kanë bllokuar 27 mijë euro, që e kanë përfshirë në dyshimet e mëdha si transportues i lëndës narkotike që është zbuluar nga policia. Personi, i cili është nga Kruja, familja e tij me banim në Durrës dhe vetë rezident në Bolonja, është vënë në pranga dhe nën akuzën e trafikimit të lëndës narkotike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button