Fitore për Zajazin e Vrapçishtin, një pikë për Dritën

Ekipi i Zajazi ka shënuar fitore të madhe në ndeshjen derbi për mbijetesë kundër Pobeda Junior, duke mundur skuadrën nga Prilepi me rezultatin 2:1. Ishte kjo një ndeshje me shumë rëndësi për skuadrën e trajnerit Ajdini, e cila me këtë fitore është shumë pranë mbijetesës në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.

Murat Adili shënoi golin e parë për Zajazin në minutën e 37-të, me të cilin gol u mbyll pjesa e parë e këtij takimi.
Në pjesën e dytë të pranishmit në stadiumin në Kërçovë patën mundësinë të shohin një futboll më eksploziv, me shumë aksione dhe ndërhyrje, ku si rezultat u treguan edhe 8 kartona të verdhë, nga katër në secilën anë si dhe dy gola të shënuar.
Fillimisht Pobeda në minutën e 62-të me anë të Daniel Koteskit barazoi rezultatin në 1:1, ndërsa për fitoren e 14-të gjatë këtij edicioni të Zajazit u përkujdes Vlorian Ismaili me golin e realizuar në minutën e 81-të.

Falë kësaj fitore Zajazi tashmë ndodhet në pozitën e 8-të me 45 pikë, dy më shumë se Pobeda në pozitën e 9-të, skuadër kjo e cila në javën e fundit në Prilep do të mirëpret Dritën dhe me fitore eventuale do ti shpëtonte ndeshjes së balotazhit.
Kur jemi tek Drita, kjo skuadër sot në Bogovinë barazoi pa gola me Teteksin edhe pse ishin shumë afër fitores në rast se shënonin nga pika e bardhë, ndërsa një fitore tjetër realizoi Vrapçishti duke shënuar fitore si mysafir 2:5 ndaj 11 Oktomvrit.

Miravci ka shënuar fitoren më të lartë të javës së 28-të, duke mundur Novacin me rezultatin 8:3, ndërsa një ndeshje mjaft efikase në Autokomandë kanë zhvilluar edhe Skopje dhe Sileksi, ndeshje kjo që në fund u mbyll me rezultatin 5:4.
Fitores në ndeshjet e sotshme iu gëzua edhe Lokomotiva që në teren vendas me rezultatin 3:1 mundi Maxhari Solidarnostin e Lirim Halimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button