Baftiu e Sejfullahu tani mendojnë për Botërorin

Përfaqësuesit e Reprezentacionit të Maqedonisë në mundje kanë ngelur të kënaqur nga pjesëmarrja e tyre në Kampionatin Evropian për kadet, e konkretisht me dy mundësit, Elmedin Sejfullahu dhe Gjorgji Jovanov, të cilët u plasuan në pozitën e pestë. 

Ekspedita nga Samokovi i Bullgarisë është kthyer dje, ndërsa sot në konferencë për shtyp ku morën pjesë, Elmedin Sejfullahu, seleksionuesi i reprezentacionit të Maqedonisë Sedat Baftiu dhe nënkryetari i Federatës së Mundjes së Maqedonisë, Betim Vrenezi, shprehën përshtypjet e tyre nga rezultatet e arritura. 

Seleksionuesi Sedat Bafiu pohon se një gabim i vogël u ka kushtuar shumë mundësve të tij. “Jam i kënaqur me rezultatin e arritur edhe pse ishim shumë afër medaljes. Konkurrenca ishte shumë e fortë, ndërsa një gabim i vogël na kushtoi medalje për vendin e tretë. Pas dy muajve kemi Kampionatin Botëror në Sllovaki. Deri atëherë kemi kohë, do të përgatitemi sa më mirë dhe gabimet që i bëmë në Evropianin në Samokov do të mundohemi ti evitojmë. 


Shpresa e mundjes së Maqedonisë, Elmedin Sejfullahu është i vetëdijshëm se ka mundur të paraqitet më mirë në Samokov. “Jam i kënaqur me rezultatin edhe pse jam i vetëdijshëm se kam mundur të paraqitem më mirë. E di se nuk arrita ta përsëris suksesin e vitit të kaluar, kur fitova medaljen e bronzit në evropianin e Tivarit të Malit të Zi”. 

Në Samokov prezent ka qenë edhe nënkryetari i Federatës së Mundjes së Maqedonisë, Betim Vrenezi. Njëjtë si Baftiu dhe Sejfullahu, edhe Vrenezi është i kënaqur me rezultatin e arritura. “Si nënkryetar i federatës jam i kënaqur nga rezultati i arritur, duke marrë parasysh konkurrencën e madhe që ishte. Nuk arritëm të fitojmë përballë mundësit të Azerbajxhanit, pasi pengesë ishin gjyqtarët të cilët mundësit tonë i bënë padrejtësi në rezultat. Shpresoj se në kampionatin botëror nuk do t’u japim mundësi të na dëmtojnë gjyqtarët dhe gabimet që i bëmë ti evitojmë”, pohoi Vrenezi, i cili thuri elozhe për punën që po e bën seleksionuesi Sedat Baftiu. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button