Kur do të ndërtohet xhamia qendrore në Prishtinë?

Po bëhen dy vjet që nga vënia e gurthemelit për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë dhe ende nuk dihet se kur pritet të nisë së ndërtuari ky objekt. E, deri në vënien e gurthemelit, ndërtimi i një xhamie të re për nevojat e besimtarëve islamë u shty për shkak të kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që kjo xhami të ndërtohet në afërsi të Fakultetit të Filologjisë në vend të çerdhes së fëmijëve “Gëzimi ynë”, por caktimi i lokacionit afër postës së re nuk ka sjellë ndonjë risi për fillimin e punimeve.

BIK-u arsyetohet se procesi për ndërtimin e xhamisë merr kohë dhe do përkushtim serioz. Xhamia e re në Prishtinë do të ketë kapacitet për 10 mijë besimtarë dhe do t’i përfshijë mbi 40 mijë metra katrorë. Bashkësia Islame e Kosovës ka ripërsëritur se me ndërtimin e kësaj xhamie besimtarët islamë nuk do të falen më jashtë objekteve të xhamive. Mirëpo, BIK-u nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të nisë së ndërtuari Xhamia Qendrore në Prishtinë.

Përderisa më parë shtyrja e afatit për ndërtimin e xhamisë arsyetohej me mosmarrëveshjet ndërmjet Komunës së Prishtinës rreth lokacionit dhe pastaj edhe rreth dorëzimit të planit projektues, tash përfaqësues të BIK-ut thonë se pritet që kompania e cila ka fituar tenderin për ndërtim, të sjellë në BIK detaje rreth projektit, të kërkuar nga vetë ky institucion (BIK).

Sipas zëdhënësit të BIK-ut, Ahmet Sadria, qytetarët e Kosovës të besimit islam duhet të kenë besim se ky projekt do të realizohet ashtu siç është paraparë për të plotësuar kërkesat për të kryer ritet fetare. Por, ai ka thënë se ky proces për t’u finalizuar kërkon kohë.

“Ne jemi të interesuar të bëjmë një xhami që nuk është një kolibe, por një xhami e madhe. Po presim detaje të projektit që  kemi kërkuar nga kompania fituese”, ka thënë ai për gazetën, duke arsyetuar kështu vonesën e fillimit të ndërtimit të xhamisë me një proces, që, sipas tij, as nuk po ecën ngadalë, por po realizohet sipas seriozitetit që i takon. Ai tha se shpreson se deri në fund të muajit të ardhshëm do të dorëzohen detajet dhe pastaj të fillojë projekti së ndërtuari. Ai ka bërë të ditur se kjo xhami do të zërë 10 mijë veta.

Lajme të ngjashme

Back to top button