Maqedonia, në mëshirë të Big Brother

Maqedonia, vite më parë mbante epitetin “oaza e paqes së Ballkanit” si rezultat i neutralitetit të saj në luftërat Ballkanike të viteve ’90 dhe përdorte këtë alibi për të hapur rrugës e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ishte kjo e njejta alibi që mund të përdorej në mënyrë shumë fine për të përfituar nga resurset e mëdha ekonomike që i ofronte BE-ja dhe vendet anëtare të saj veç e veç. Vende të tilla si Sllovenia dhe Kroacia që ishin në zjarrin e luftës mblodhën në përkrahje të tyre vende të fuqishme si Austria dhe Gjermania jo vetëm në mbështetjen e synimeve të tyre politike, por edhe në idenë e mbindërtimit të vendeve të tyre pas luftës. Ato me siguri e dinin që inatet historike një ditë do të duhej të zëvendësoheshin me progres ekonomik dhe mirëqenie për popujt e tyre. 

Ndërkaq Maqedonia, duke mos patur një ide të qartë për veten dhe pa konsistencë në politikat e saja humbi shansin historik. Ajo e largoi veten nga ideja e BE-së me transformimin e korruptuar të kapitalit shoqëror që bëri në vazhdimësi. Është e vërtetë e pamohueshme se privatizimi i kapitalit në vendin tonë u bë për interesa të klaneve të caktuara që mbështetnin politikat e tyre servile. Kjo solli në katandisje jo vetëm të ekonomisë së vendit, por edhe në krijimin e konflikteve ndëretnike që plasën me konfliktin e vitit 2001, i panevojshëm në një vend tjetër që do të ishte treguar më i civilizuar dhe me vizion të qartë për ekzistencën e vet. Pasojat e këtyre politikave të gabueshme po i shohim sot. Sepse realisht situata vazhdon të jetë e njejta. 

Forcat dominante politike, si ajo maqedonase ashtu edhe ajo shqiptare interesin e përgjithshëm e kanë identifikuar me interesin e tyre klanor. Shtrëngimi që ata i bëjnë ekonomisë së vendit, krijon iluzionin që gjithcka në këtë vend duhet të marrë pëlqimin e “Vëllaut të Madh”, secila iniciativë duhet të kalojë nëpër filtrat e partive politike dhe si e tillë të dalë në treg. Sikur politikanët të kishin idenë se cka është më e mira për ekonominë dhe për biznesin!? Në një botë ideale politika do të duhej të largohet nga biznesi dhe ekonomia dhe zhvillimi të lihet në fuqinë e kreativitetit njerëzor. Detyra e politikës, apo thënë më mirë ndihmesa që mund të japë shteti në progres do të duhej të bazohet në dy parime: e para, të krijojë legjislaturën e duhur për të rregulluar në masë të mundur moralitetin e biznesit dhe e dyta, që mendoj që është akoma më e rëndësishme është të investojë tërë fuqinë e vet në infrastrukturën intelektuale nëpërmjet arsimimit dhe zhvillimit të kreativitetit pozitiv tek individët.

Është e vështirë për politikanët që kanë fituar statusin e autokratit të krijojnë politika liberale ekonomike. Aq më pak të krijojnë infrastrukturë të drejtë zhvillimore të bazuar në dy parimet që i përmenda më sipër. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Liberalizimi i fuqisë njerëzore do të hante diktaturën e tyre. Një legjislacion i drejtë në pikë të parë synon eliminimin e korrupsionit dhe hapjen e mundësive të njejta për të gjithë. Ndërkaq në një shoqëri autokratike si e jona korrupsioni është mënyra më e mirë për të ushtruar fuqinë. 

Më e vështirë akoma bëhet situata kur korruptohet fuqia intelektuale e një populli. Atëherë krijohen kushtet ideale për vazhdimësi të diktaturës. Korrupsioni mendor i intelegjencës së këtij vendi është më se evident nga disa pikëpamje. E para, është zbehur fuqia e zërit kritik të pjesës dërmuese të intelektualëve dhe biznesmenëve të vendit, asaj që duhej të bënte opozitën kryesore të secilës politike të gabuar. Asaj që në vendet normale, quhet “opinion publik”. E dyta, është dobësimi i nivelit arsimor univerzitar me diversifikim të tepruar të resurseve akademike dhe i prodhimit në masë të të arsimuarve. Mendoj që dija është e drejtë univerzale e të gjithëve, por synimi parësor i institucioneve akademike do të duhej të ishte nxjerrja e kuadrove kualitative, të gatshme për t’u bërë pjesë e atij opinioni publik dhe të afta për të menduar me mendje të hapur. 

Mendje hapuria në biznes dhe zhveshja e ekonomisë nga presionet korruptive politike janë daljet e vetme të mundshme nga ngulfatja që po pëson biznesi vendas dhe rruga e drejtë për të siguruar zhvillim të kapaciteteve të qëndrueshme ekonomike. Domosdoshmërisht liberalizmi i vërtetë ekonomik do të krijojë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button