Debat: Neglizhimi i BDI-së nga VMRO, shkëndijë konfliktesh

Analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në Maqedoni kanë debatuar sot për çështjen e legjitimitetit dhe legalitetit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. Ata njëzëri vlerësuan se tendenca për të mos përfshirë BDI-në si fituese në këto zgjedhje do të krijon tensione dhe konflikte në vend.

Naser Ziberi tha se qëllimi i Gruevskit nuk është marrja e dy partive në qeveri, por se kërkon vetëm uljen e kërkesave të BDI-së. Ai krahasoi momentin e tanishëm me atë të formimit të qeverisë në vitin 1998, kur PPD nuk pranoi kushtet e VMRO-DPMNE-së dhe kjo e fundit mori për bashkëqeverisje PDSH-në.

“Tendenca e Nikola Gruevskit është të ulë tregun e BDI-së, duke i thënë ‘nëse ju nuk doni, ja ku e kam partnerin tjetër’. Për fat të keq, për këtë ka gjetur partner te shqiptarët”. Në rast të opsionit ‘qeveri me dy parti shqiptare’, dhe në kushte të mungesës së LSDM-së, pushteti i ardhshëm nuk do të ketë fare opozitë.” tha Ziberi duke theksuar se fakti që Gruevski po përpiqet të zhvillojë negociata paralele me dy partitë shqiptare është pozicion i dëmshëm për stabilitetin e shtetit si dhe për proceset integruese.

“Partitë fituese kanë legjitimitetin e plotë për të zhvilluar negociata dhe për të krijuar kabinetin e ri. Çdo veprim tjetër lë pasoja të rënda. Ndryshe dhe humb kuptimi i garës shqiptare dhe kthehemi prapa në kohët e dikurshme të konfliktit”, tha ai.

Analisti dhe ish-ambasador Alajdin Demiri thotë se zgjedhjet e parakohshme, që këtë herë ishin të tretat me radhë ishin pa asnjë shkak dhe opozita maqedonase duhej t’i bojkotonte ato sepse iu imponuan. 

“Pushteti ndjehej i fortë dhe ishte i bindur për fitore, dhe se shkoi në zgjedhje pa marrë përgjegjësi për asnjë krizë paraprake. Kriza e parë është ajo e anëtarësimit në NATO dhe BE, por VMRO-ja nuk e mori përsipër. Ajo tregoi se nuk ka ndërmend të anëtarësohet por të largohet. Kurrkush nuk kërkon prej Maqedonisë të zhbëhet,, por kërkon të zgjidhet një kontekst që është real. Kriza e dytë është ekonomike, përkundër faktit se pushteti nuk shpalli krizë. Çuditërisht, investimin e tyre real, ata e harruan. Kriza e tretë është kriza e investimeve. Në Maqedoni ka tendenca të gjetjes së partnereve kriminogjen. Subrata Roj është shembulli më i mirë”, thotë Demiri.

Ai shton se, shoqëria ka dhe krizën ndëretnike, ndërsa i shtohet tani edhe ajo politike. Demiri shprehet se duhet ndërtuar sistemi për arritjen e konsensusit shoqëror dhe politik, dhe se, në mungesë të tij, partitë nuk mund të arrijnë në marrëveshje mbi kontestet e tyre.
Profesori universitar dhe njohës i sistemit juridik Ymer Ismaili vlerëson se tendenca për t’iu marrë legjitimiteti një partie shqiptare që ka fituar në mënyrë legale në këto zgjedhje, përbën tendencë që çon drejt një konflikti.

“Nuk mund të kontestohet fituesi në zgjedhje të rregullta, me gjithë kontestimin dhe parregullsitë eventuale. Në sistemin juridik dhe politik në Maqedoni, partia që ka legjitimitetin e përfaqësimit është ajo që ka fituar të paktën edhe një votë më shumë se partia tjetër.” thotë Ismaili.

 “Kjo situatë e krijuar më kujton vitin 1989, kur Rahman Morina me nja dy shokë të tij dëshironin si shqiptarë biologjikë të përfaqësonin politikisht shqiptarët e Kosovës. Dhe në e dimë çfarë fati pësuan ata. I njëjti skenar i pret edhe ata që duan ta minimizojnë legjitimitetin e partisë që ka fituar në këto zgjedhje, do të pësojnë të njëjtin fat të Rahman Morinës”, tha profesor Ismaili.

Analisti nga Kosova Naim Rashiti vlerëson se Maqedonia si shtet, e sidomos partitë shqiptare, duhej të inkurajohen nga guximi i liderëve kosovarë dhe atyre serb, që nuk heqin dorë nga kërkesat dhe bisedimet.

“Shumë pak reflekton kjo çështje në kontekstin e Maqedonisë dhe ka pak vullnet për të marrë këto praktika. Më brengos fakti se sa pak ka vullnet dhe energji, sa hezitim ka në veçanti nga partitë shqiptare që t’i prekin ndryshimet kushtetuese ligjore për të ardhmen e vendit. Si do të dilet nga kjo krizë? Unë po e konsideroj ende si pjesë e një manovre e negociatave”, deklaroi Naim Rashiti.

Publicisti dhe ish-botues i gazetës FAKTI, Emin Azemi tha se partia maqedonase e kryeministrit Nikola Gruevski po terrorizon opinionin maqedonas duke bërë shantazh ndaj aktorëve politikë shqiptarë. Ai tha se shqiptarët duhet të përcaktonin rregullat e funksionimit dhe të mos lejohej formimi i qeverisë nga parti që kanë dy apo tre deputetë.

“Shqiptarët ende nuk po arrijnë të kenë një opozitë të mirëfilltë. Një lidership që ka të bëjë me demokraci, por jo me interesa personale ordinere. Ka ardhur koha të formohet një opozitë e mirëfilltë që nesër të mos vijë puna deri tek ankandi që përmenda. Çështja tjetër që nuk përmendet ende, është fakti se, zyrtarisht, mandatar nuk ka”, tha publicisti.

Debati i sotëm me temë “(De)legjitimiteti – zgjedhjet e parakohshme si shkas” u organizua nga Instituti për Hulumtim të Politikave dhe Qeverisje të Mirë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button