Edhe ky na duhej!

Në turbulencen e mendimeve tona, në prag të zgjedhjeve nacionale, me hutitë e krijuara nga zhvillimet e fundit, qytetarët e Kosovës duhet të pajtohen edhe me një fakt tjetër, një imponim nga jashtë, ndoshta një boomerang qe do të na bie mbi kokat tona si një re e zezë e e pashmangshme. E mundimshme dhe e papranueshme një situatë, ku pritet që të gjykojmë luftën tonë, çlirimtarët tonë, mbi të gjitha popullin tonë! Si duket ja bëmë gropen vetës, duke e ç’rrënjosur luftën tonë çlirimtare nga vlerat e mëdha që ajo ka dhe nga dëshira e madhe që kishte për çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar.

Po të shikojmë nga aspekti i të njerzishmes, me të vërtetë, ku do të duhej të themelohej ky tribunal?! Çfarë njerëz do të duhej të gjykonte?! Kush me të vërtetë do të duhej t’i friksohej themelimit të një tribunali të tillë?! Përgjigjet i kemi të thjeshta dhe të pasqyruara, nëse jo të shkruara, atëherë i kemi të ngulitura mirë në kokat tona. Gjithmonë, si duket na shkelën! Një herë turku, pastaj serbi, e tani bota perendimore, por me një sundim pak sa më të sofistikuar, me gjëra të tilla, që na e cënojnë edhe lirinë për të luftuar për atdhe e vatan. A nuk është edhe ky një sundim?! A nuk është edhe kjo një robëri, ku edhe në shtëpinë tënde nuk të lenë rehat?! Po mjaft u gjykua lufta jone, mjaft! E si mund të kalitet kjo çështje, kur as Haga nuk kishte ç’na bënte?! Ju, a heronjtë doni të na përulni a?! Kush e duron këtë?! 

Nuk paskam parë e dëgjuar kurrë, të dënohen njerëzit, të cilët dalin në mbrojtje të atdheut, në mbrojtje të familjeve të pambrojtura, të cilat dolën të mbrojnë shqiptarët nga gjenocidi serbo-sllav, të cilët u betuan për çlirimin e atdheut mbi një flamur të ruajtur me shekuj, të bashkuar rreth një bese shekullore, e që e kishin po atë ideal shekullor, bashkimin e të gjithë shqiptarëve, siç neve na ka hije e siç do na e kishte lakmi bota, ndoshta edhe frikën! Ai tribunal e ka vendin diku tjetër, jo tek çlirimtarët!

Nuk e di nese në Kosovë, një tribunal i tillë do të kishtë punë! Nuk jemi kriminelë ne jo! Ky tribunal, më bukur do t’i shkonte Beogradit! Atje e ka vendin, po  po, mu në zemër të Beogradit! Atje janë kriminelët, atje janë ata që na lanë shumë jetimë, të rritën në këtë Kosovë, ata janë që na bënë shumë varre, ata janë që na torturuan dhe ata janë që kanë frikë edhe nga kufomat tona dhe nuk na i kthejnë të pagjeturit. Një mendje e shëndoshë, do të dijë t’i ndajë këto gjëra dhe do të dijë të bëjë dallimin ndërmjet kriminelëve e çlirimtarëve. 

Këtë nuk e deshëm, ky nuk na duhej! Ky tribunal na erdhi i servuar nga kuzhinat sërbe, që fatkeqësisht, deshëm apo jo u bë! U bë dhe vështirë se do zhbëhet! Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për neve shqiptarët është e shenjtë, dëshmorët tonë janë kurbanë, që u flijuan për këtë liri që ne e gëzojmë, apo mos ndoshta përmes këtij tribunali do të gjykohet edhe gjaku i dëshmorëve?! 

A duhet të friksohet çdo ushtar për luftën e lavdishme dhe rezistencën që bëri?! Sepse ndoshta do të gjykohet e dënohet edhe pëe lirinë që e solli?! Këtë nuk e merituam ne populli i përvuajtur i Kosovës, nuk e merituan baballarët tonë dhe nuk e meritojnë gjeneratat e reja, sepse do të jenë plot dyshime në luftën për liri. Ky tribunal na ndërhyri në shkruajtjen e historisë, na e njollosi atë. Asnjëherë ne shqiptarët nuk jemi shquar për krime, vrasje e mashtrime. Të përvuajtur gjithmonë, mbrojtëm idealin tonë, mbrojtëm vlerat tona, të trashëguara ndër gjenerata e gjenerata. Ne asnjëherë nuk jemi munduar të përvetësojmë atë çfarë nuk është e jona, ne as atë që e merituam nuk e patëm kurrë! A mos ndoshta duhet të gjykohemi për këtë?!

Luftën tonë të drejtë e të lavdishme, do të mund ta gjykojë vetëm Zoti! Dështuan disa herë në dënimin e heronjëve tanë, do të dështojnë sërish, pa dyshim! Jemi të bindur për këtë, sepse besojmë në luftën e drejtë të UÇK-së, besojmë në çlirimtarët tonë, besojmë në pastërtinë e tyre, besojmë në luftën e tyre të ndershme. Këta nuk vranë civilë, nuk vranë gra e fëmijë, nuk dogjën, nuk dëbuan, nuk dhunuan, nuk shkaktuan dëme, nuk vranë të pafajshëm. Kështu e ka shqiptari! Kështu na mësuan traditat! Ne nderin dhe moralin e ruajtëm si në luftë, si në paqe dhe do ta ruajmë gjithmonë. Ne e ruajtëm besën dhe kjo na bëri të jemi fitimtarë dhe do të fitojmë edhe kësaj here, kundër kësaj gjuetie shtrigash që bëhet kundrejt trimave tonë.

Zoti është në anën tonë, Zotin e kemi dëshmitar dhe vetëm Ai mund të na gjykojë për bëmat tona. E derisa nuk na frikësoi Serbia me gjithë atë armatim të rëndë, s’ka se si mund të na frikësojë një tribunal, aq më pak i imponuar. Në fund të fundit ne më përpara pranojmë të vuajmë, në Kosovën tonë të lirë e të të pavarur, se të vuanim nën robërinë serbe. E ashtu siç I përzumë serbët, ashtu do të duhet të bëjmë edhe me këtë tribunal të mallkuar. Nuk lejojmë të përulemi e t’I humbim vlerat tona. Vlerat i ruajtëm në rreziqe më të mëdha, kështuqë nuk do ta kemi problem t’i ruajmë këto vlera në liri e pavarësi.

Ashtu siç na dolën në ndihmë heronjtë tonë, kur ne ishim në rrezik, ashtu do t’u dalim në ndihmë ne atyre në këto kohë, kur gjykohen vlerat dhe akuzohen meritat, sepse shqiptarët dijnë të ruajnë dhe mbrojnë të shenjtat dhe ju për neve jeni të shenjtë dhe të tillë do të mbetni gjithmonë, në zemrat tona dhe në historinë tonë.

Shqiptarët nuk ua falin kurrë këtë! Për këtë do të ju dënojë gjaku i dëshmorëve, do të ju dënojë flamuri dhe ideali ynë, do të ju zëjë mallkimi i shqiptarëve ndër shekuj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button