Deari optimist para garave në “Davis Cup”

Sot reprezentacioni i Maqedonisë do të udhëtojë për në Segedin të Hungarisë, ku në kuadër të “Davis Cup” do të jenë pjesë e garave të grupit të tretë Evropian. 
Në këto gara janë paraqitur 12 shtete, Hungaria, Estonia, Maqedonia, Gjeorgjia, Malta, Mali i Zi, Turqia, Armenia, San Marino, Lihtenshtajni, Shqipëria dhe Islanda. 

Reprezentacionin e Maqedonisë do ta përfaqësojnë katër tenist, Shëndrit Deari, Dimitar Grabull, Tomisllav Jotovski dhe Bojan Jankullovski, ndërsa kapiten dhe seleksionues do të jetë Dejan Marinkoviq. Për shkak të renditjes pozitive që ka Maqedonia, e që aktualisht mban pozitën e 82-të, ka bërë që të jetë bartëse në grupin C, ndërsa aktualisht është pjesë e Ligës së tretë. Gjithashtu bartës në tre grupet tjera do të jenë, nikoqiri Hungaria (Grupin A), Estonia (Grupin B) dhe Gjeorgjia (Grupin D). 

Tenisti shqiptar, Shëndrit Deari ka thënë se qëllimi i tyre është kualifikimi në ligën e dytë. “Shpresojmë se shorti do të jetë me fat për ne në këtë eveniment. Besojmë në forcat dhe kualitetin tonë dhe presim që të plasohemi në Ligën e dytë”, u shpreh para nisjes për në Hungari, Shëndrit Deari. Në pyetjen se sa është përgatitur për këtë eveniment dhe cilat janë arritjet e tija personale, Deari tha se në Hungari po udhëton për të arritur rezultat të mirë. “Jemi përgatitur pothuajse një javë për këtë eveniment edhe atë nga dy stërvitje në ditë. Ndjehem mirë dhe maksimalisht i përgatitur për sfidat që më presin mua bashkë me kolegët e mi të reprezentacionit. Për mua ky është viti i gjashtë me radhë që marr pjesë, ndërsa bilanci është 5 fitore dhe 4 disfata. Shpresoj dhe besoj në kualitetet e mia dhe premtoj se do të jap maksimumin që të arrij fitore dhe ti realizojmë objektivat tona”, deklaroi Deari. 

Ndeshjet fillojnë të mërkurën (7 maj) ndërsa përfundojnë më 10 maj, ndërkohë që shorti do të hidhet të martën. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button