Baftiu: Presim medalje nga Evropiani në Bullgari

Reprezentacioni i Maqedonisë në mundje për kadet nesër pritet të udhëtojë për në Bullgari, më saktësisht në qytetin e Samokov, ku do të jetë pjesëmarëse e Kampionatin Evropian për kadetë. 

Në këtë Evropian, Maqedoninë do ta përfaqësojnë pesë mundës, ndërsa tre prej tyre janë anëtar të KM Liria, nga një përfaqësues kanë klubet Buçim Jaka dhe Ballkanec. Ekspedita e reprezentacionit të Maqedonisë do të udhëhiqet nga seleksionuesi Sedat Baftiu, i cili është edhe trajneri i KM Liria. 

Baftiu është i kënaqur që në dispozicion do t’i ketë tre mundësit e KM Liria, Elmedin Sejfullahu, Shaip Bravën dhe Samir Rexhepin, por nuk i anashkalon edhe dy mundësit tjerë, Gjorgji Spasov dhe Mihajllo Nikollov. 


“Tre mundësit e Lirisë i njoh shumë mirë dhe nuk ka dyshim se bëhet fjalë për mundës të mirë, sidomos pres shumë nga Elmedini, i cili pritet të na gëzojë me ndonjë medalje”, ka thënë Baftiu. 

Mundësit përgatitjet i kanë zhvilluar në palestrën “Mentas Alajbegu”, nga të cilat kanë dalë të kënaqur si mundësit, ashtu edhe seleksionuesi Baftiu. 
“Matjen mundësit do ta kenë të hënën në ora 18.00. Më pas do të bëhet shorti, ndërsa shpresojmë se fati nuk do të na kthej shpinën. Jemi përgatitur mirë dhe jam i bindur se nga Bullgaria do të kthehemi me medalje”, deklaroi seleksionuesi i reprezentacionit të Maqedonisë, Sedat Baftiu për Portalb. 

Kjo është një shans shumë e mirë për mundësit që do të marrin pjesë në Evropianin në Bullgari, pasi ky është një shans i mirë për ta, duke marrë parasysh se ata që do t’i fitojnë dy vendet e para, sigurojnë pjesëmarrje në Lojërat Olimpike në Kinë që do të mbahen në muajin gusht të këtij viti. 
Kampionati Evropian për kadetë në Samokov të Bullgarisë pritet të jetë shumë konkurrues, pasi që do të marrin pjesë rreth 30 reprezentacione. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button