Sela(k)izmi në politikë

Ndonëse në rrethana krejt të ndryshme edhe BDI edhe PDSH janë pikërisht para përgjegjësive historike se sa do të mbështesin, promovojnë dhe ushtrojnë demokracinë. Sepse duan apo nuk duan liderët dhe lidershipet, shoqëria ka hyrë në fazën e sela(k)izmit (lexojeni dhe kuptojeni si të doni këtë, dhe prandaj do të ketë reagime, brenda dhe jashtë partive.

Zgjedhjet e sapo përfunduara në Maqedoni nuk sollën paparashikueshmëri në rezultate, gati-gati as diçka të papritur edhe në atë që do të ndodhë gjatë krijimit të qeverisë, megjithatë po sjell dy momente të reja në skenën politike shqiptare dhe një pritshmëri se si do të vazhdojë të sillet opozita maqedonase në vijimësi, pa çka se tani po thotë se nuk pranon mandatet.

Përgjegjësia historike e BDI

Pas euforisë dhe fitores të BDI-së ajo që duhet të theksohet tashmë është përgjegjësia e madhe e kësaj partie. Një fitore me shifra të tilla do të thotë dhe mos pasje asnjë mundësie fshehjeje ndaj gjithë asaj që mund te, dhe mos të ndodhë dhe që do pritet ta bëjë BDI. Pa një opozitë reale dhe pa asnjë frikë për kundërshtime, partia e z. Ali Ahmeti ose do të gjejë forcën dhe do të bëjë thyerjen e madhe dhe vendosjen e meritrokracisë si një vlerë jashtëzakonisht të munguar të kësaj shoqërie, ose do të vazhdojë e qetë në pashallëqet e eksponentëve të saj politik, të qetë nga mungesa e oponencës reale. Jo “fitorja historike” e BDI-së por përgjegjësia historike e BDI-së do të jetë ajo që do të shënojë të ardhmen e kësaj partie. 19 deputetët e fituar duket se krijojnë një komoditet, por në fakt do të duhet të krijonin presion që më në fund të bëhej lëvizja drejt progresivitetit të munguar.

Vetë brenda BDI ka mendime dhe forca të ndryshme, në një anë ata që fitoren e shikojnë si një mundësi (nëse janë në qeveri) për të vazhduar me përfitimet e vogla të cilat për një pjesë mund të jenë edhe eksperienca që ndryshojnë jetën e tyre dhe të tjerët që hapur thonë se po vjen një shans që lëvizje të caktuara drejt politikave më avangardiste do të mund të bëheshin më lehtë, pasi mungon presioni dhe frika nga opozita çka do të sillte përfitime më afatgjate. Mungesa e këtij presioni dhe frike opozitare do të duhej të çlironte BDI nga veprime të politikave të vogla që sjellin thjeshtë përfitime euforike çasti. Por a është i mundur një veprim i tillë me njerëz relativisht të njëjtë? Sfida dhe përgjegjësia e madhe e BDI është pikërisht dhe në ofrimin e hapësirave për ide dhe njerëz të rinj.

Sërish për shkak të mungesës së frikës dhe presionit opozitar mundësia për ofrimin e të aftëve të cilët mund të mos njihen dhe në rrethana të tjera mund të mos gjeneronin mbështetje të duhur në opinion mund të bëhet lehtësisht nëse ka synime përparimi. Prandaj gjithçka do të varet nga vizionet e vetë liderit dhe lidershipit të partisë që me fjalë të tjera do të përkthehej ose do të vazhdojë shoqëria të pulsojë në vend ose do të marrë një shtysë reale për më mirë me bazë meritrokacinë. Kësaj përgjegjësie të madhe më nuk i iket!

Efektet e veprimit të Selës

Momenti i dytë i rëndësishëm është Ziadin Sela. Efektet e veprimit të kryetarit të Komunës së Strugës do të jenë përtej PDSH-së së tij duke i dhënë një guxim sidomos brezave të caktuar brenda partiak për të ngritur zërin dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kërkesa e tij për dorëheqjen e Menduh Tahçit, është një kërkesë për dorëheqjen e gjithë “thaçizmit” si mentalitet politik. Ajo që duhet të kuptohet është se (pavarësisht nëse pajtohemi ose jo me atë që ata përfaqësojnë) z. Sela ka rrethe vetes njerëz të rinj, (ende) pa interesa të mëdha të cilët vinë nga një mendësi krejt tjetër ndaj qëndrimeve dhe mitet për liderin si koncept.

Njerëz të cilët mund të dështojnë me sukses të plotë, por qëndrimi dhe sidomos guximi i bën ata imun nga varshmëria partiake dhe sidomos e liderit. Prirje të tilla do të shohim në rritje në të gjitha strukturat politike, sepse pavarësia dhe lira e individëve, sidomos e atyre që kanë një sukses në profesion dhe që kanë një garanci për mbijetesë pa çka se partia mund ti kërcënojë, do të sjellin reagime në rritje brenda partive (jo vetëm PDSH). Atë që zoti Thaçi nuk kupton është se vjen nga një mendësi e cila konsiderohet si e skaduar, pa çka se shumë vetë pajtohen me ideologjinë dhe kritikën e tij. Pikërisht për këtë arsye shohim reagime vulgare dhe ofenduese nga eksponentë të partisë opozitare duke degjeneruar debatin që është si oksigjen për demokracinë, të cilët instinktivisht duan të mbrojnë rregullat e tyre ndërkohë realitetet janë të tjera më.

Mbi 20 vjet demokraci dhe mbi të gjitha ndryshim i natyrshëm brezash sjellë dhe do të sjellë në rritje reagime. PDSH, lideri dhe lidershipi i saj janë para përgjegjësisë historike për trashëgiminë që do i lënë shoqërisë në varësi të veprimeve që do të ndërmarrin, sidomos nëse krijojnë hapësirë për debat dhe ndryshim që të çlirojë jo thjeshtë PDSH-në por edhe krejt shoqërinë. Shoqëria më shumë se tani nuk do të ketë nevojë për një oponencë. Por të besueshme ama. Të cilën qartësisht PDSH me këtë lidership, sipas elektoratit, nuk e ofron dot. Nga ana tjetër këto 20 e ca vjet demokraci po nxjerrin në sipërfaqe sinqeritetin e krerëve politik për demokracinë.

Nëse një lider kërkon të drejtojë një komb, një shoqëri në emër të demokracisë, ndërkohë gjithçka që bën (pa çka se në shtëpi të vet) është krejt e kundërta, duke treguar se asgjë nga demokracia s’ka përqafuar, ndjerë apo me më keq akoma nuk e kupton, atëherë sigurisht që brezi të cilit i është drejtuar me fjalë të mëdha do të reagojë. Ndonëse në rrethana krejt të ndryshme edhe BDI edhe PDSH janë pikërisht para përgjegjësive historike se sa do të mbështesin, promovojnë dhe ushtrojnë demokracinë. Sepse duan apo nuk duan liderët dhe lidershipet, shoqëria ka hyrë në fazën e sela(k)izmit (lexojeni dhe kuptojeni si të doni këtë;)) dhe prandaj do të ketë reagime, brenda dhe jashtë partive. (Gazeta Koha)

Lajme të ngjashme

Back to top button