Takimi Osmani- Suomalainen: Reforma zgjedhore mbetet ndër prioritetet kyçe të Qeverisë

Në Sekretariatin për Çështje Evropiane u mbajt sot takim mes zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ambasadores të OSBE-së, Nina Suomalainen.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se Misioni i OSBE-së në Shkup ofron ndihmë të rëndësishme në Maqedoni, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave zgjedhore, dhe për këtë shkak takimi vjen në momentin e duhur, duke marrë parasysh zgjedhjet e ardhëshme lokale.

Në këtë drejtim Osmani theksoi se reforma zgjedhore mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke përfshirë edhe adresimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR.

Ai theksoi se kriza e gjatë politike ishte rezultat i gjendjes status quo, të shkaktuar nga ngecja e integrimeve euroatlantike në vend. Qeveria e re, shtoi ai ka mundësinë të shfrytëzojë atmosferën pozitive dhe të ri-aktivizojë procesin e reformave në përputhje me standardet e BE-së, të cilat janë edhe në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE.

Osmani theksoi gjithashtu se Qeveria do të përqendrohet edhe në zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, si elemente të rëndësishme për progres në procesin e integrimit euro-atlantik.

Ambasadorja Suomalainen shprehu gatishmëri për të ofruar mbështetje dhe ndihmë për procesin reformues, veçanërisht në fushat në të cilat kanë ekspertizë dhe në të cilat tashmë punojnë në vend, të tilla si reforma e gjyqësorit, mediave dhe natyrisht zgjedhjeve, por edhe fusha tjera me interes për integrimin e Maqedonisë drejt BE-së, njofton Kabineti i zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button