Sela: Thaçi t’ia lëshojë BDI-së të gjithë mandatet

Ziadin Sela kryetari i Komunës së Strugës, ka komentuar për Drini.mk insistimin e liderit të PDSH-së që partia që ai drejton të bëhet pjesë e qeverisë së re dhe  informacionet se PDSH do të mund të përkrahte qeverinë e re edhe nëse nuk bëhej pjesë e saj.

Kryetari i Komunës së Strugës, ka përsëritur qëndrimin se nëse brenda 100 ditëve të para të qeverisë, arrihet krijimi i parlamentit dydhomës, ndarja proporcionale e buxhetit, përfaqësimi i drejt dhe adekuat, atëherë  PDSH -së i lejohet të hyjë në qeveri.

Nëse është i përgjegjshëm në të vërtetë dhe nëse  ia do të mirën këtij kombi, le të dalë dhe le t’ia lëshojë 7 mandatet e PDSH-së BDI-së , me kushtin që në një afat prej 6 muajsh, së paku gjuha shqipe të bëhet zyrtare në të gjithë vendin. Kështu ka deklaruar Sela, pas akuzave që në drejtim të tij ka lëshuar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, në koktejin e sotëm me aktivistë të kësaj partie në Strugë.

Sela ka shtuar se Thaçi në këtë mënyrë do të mund t’u dëshmonte shqiptarëve se BDI në fund të fundit, për kot i kërkon ata 20 mandate.

“BDI ka 19 mandate, le t’ua ja japë Thaçi edhe 7 dhe t’u thotë ja ku i keni të gjithë mandatet e shqiptarëve, ndaj bëni diçka për ata. Le ta bëjë këtë me kushtin që të realizohen kërkesat e shqiptarëve, të parapara në platformën politike të PDSH-së të miratuar në vitin 2009, që përfshin krijimin e parlamentit dy dhomësh dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e vendit.”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela,  ka theksuar    se nuk dëshiron të komentojë akuzat dhe fyerjet personale në adresë të tij, sepse politika nuk ka të bëjë me çështjet personale, por me proceset. /Drini.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button