Rusia fajëson Perëndimin për gjakun e derdhur në Ukrainë

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putinit, tha ditën e shtunë se autoritetet në Kiev dhe përkrahësit e tyre në Perëndim janë përgjegjës për gjakun e derdhur në qytetin ukrainas të Odesës, raportojnë agjensitë e lajmeve ruse. 

“Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë praktikisht janë duke e provokuar gjakderdhjen dhe kanë përgjegjësi direkte për të”, citon “RIA Novosti” zëdhënësin e presidentit, Dmitry Peskov.

Dhjetëra njerëz vdiqën nga sulmet dhe të tjerë janë qëlluar gjatë sulmeve midis grupeve pro dhe antiruse, në rrugët e portit të Detit të Zi ditën e premte. 

Në lindje, forcat ukrainase kanë nisur një operacion të quajtur nga Rusia si “ndëshkues” për të shpërndarë separatistët nga qyteti i Slaviansk-ut. 

I pyetur sesi do të reagojë Rusia, Peskov tha se nuk mund të thoshte se çfarë veprimesh do ndërmarrë shteti rus. 

“Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, ky element është absolutisht i ri për ne”, tha ai në komentet e cituara nga “Interfax”. 

Peskov tha se dhuna e përdorur e ka bërë “absurd” planin e autoriteteve të Kievit për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në 25 maj.  

Kievi e akuzon Moskën për përkrahjen e grupeve pro-ruse në Ukrainën lindore. Ndërkohë Moska mohon përfshirjen me rebelët./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button