Thaçi: Me njohjen e pavarësisë së Kosovës Rusia do t’i bëjë shërbim më të madh Serbisë

residenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bisedë për të përditshmen kroate “Vecernji list”, ka folur hapur në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve të mundshme mes dy vendeve pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, sikurse edhe për raportet me Kroacinë.

Ai në këtë intervistë foli edhe për rolin rus në Kosovë, por edhe në rajon, Thaçi po ashtu ka folur edhe për përkushtimin e Kosovën në luftën kundër radikalizmit islamik dhe terrorizmit, transmeton MIA.

Thaçi për gazetën kroate ka thënë se pa marrë parasysh kush e formon qeverinë e rëndësishme është që qeveria e re e Kosovës të jetë e orientuar kah NATO dhe BE-ja.

“Me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohem tash e disa vite në kuadër të dialogut në Bruksel dhe kemi ndërtuar një komunikim të drejtë dhe konstruktiv përkundër deklaratave të liderëve politikë në Beograd që i japin për konsum ditor. Me presidentin Vuçiq kemi ndërtuar komunikim korrekt. Në disa raste, kur ka qenë e nevojshme, kemi biseduar edhe përmes telefonit. Bisedimet në Bruksel nuk janë të lehta për asnjërën palë. Por, më e rëndësishmja është se të gjithë jemi të angazhuar që të sjellim vendime të mira për vendet tona, për qytetarët e vendeve tona, pavarësisht se sa të vështira mund të duken ato në shikim të parë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti edhe një herë ka ripërsëritur se krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të jetë paqe dhe siguri për Ballkanin e assesi kërcënim.

“Për sa i përket ushtrisë, secili shtet i pavarur ka ushtrinë e vet. Edhe Kosova do ta ketë të sajën e cila do të jetë forcë profesionale me standarde të NATO-s. Do të jetë forcë multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Evropës juglindore. Në fakt, kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan janë bazat ruse në Serbi”, ka shtuar Thaçi.

Thaçi është pyetur për raportet zyrtare me Rusinë dhe për mundësinë që kjo e fundit të njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se “Rusia ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë. Ne e kuptojmë miqësinë tradicionale mes Rusisë e Serbisë dhe kjo nuk na pengon. Në të vërtetë, besojmë se Rusia do t’i kryente shërbimin më të mirë Serbisë duke e njohur Kosovën dhe duke e ndihmuar Serbinë që të çlirohet nga miti rreth Kosovës”.

Presidenti i vendit, në këtë bisedë për të përditshmen kroate, ka thënë se Kroacia është më shumë se vetëm një vend mik i Kosovë – “është partner strategjik”.

“Kuvendi i ri që do të formohet do të trajtojë edhe këtë çështje. Në Kosovë ekziston konsensusi i përfshirjes së komunitetit kroat në Kushtetutën e Kosovës. Kjo do të ndodh së shpejti”, ka deklaruar Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button