Bilanc lufte në Ukrainë

Shumë rebelë janë vrarë, qindra janë plagosur e të tjerë janë arrestuar në operacionin në shkallë të gjërë të ushtrisë ukrainase për të rimarrë nën kontroll qytetin e Slovianskut në lindje të vendit.

Kështu deklaron Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov. Në një deklaratë për mediat ai tha se operacioni vazhdon, megjithëse shtoi “jo me shpejtësinë me të cilën ishte parashikuar”.

Ndërkohë, Rusia kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara. Moska njoftoi se nuk njeh më marrëveshjen e Gjenevës të arritur mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Bashkimit Europian dhe autoriteteve të përkohëshme të Kievit.

Marrëveshja synonte uljen e tensioneve. Moska u zotua se do të ndikojë në çarmatosjen e grupeve të armatosura separatiste në lindje të Ukrainës, ndërsa Kievi të grupeve ekstremiste dhe se nuk do të ndërhynte me forcë në Lindje.

Një zëdhënës i presidentit rus, Valdimir Putin deklaroi se marrëveshja e Gjenevës për uljen e tensioneve në lindje të Ukrainës nuk ekziston më, pasi Kievi ka nisur një operacion ushtarak në shkallë të gjërë në qytetin e Slovianskut në lindje të vendit.

“Në kohën kur Rusia po përpiqet të ulë tensionet dhe të shmangë konfliktin, regjimi i Kievit ndërmerr një sulm ushtarak ndaj një qyteti paqësor. Një operacion ndëshkimor që praktikisht shkatërron të gjitha shpresat dhe mundësitë për zbatimin e marrëveshjes së Gjenevës”, deklaroi Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit Putin.

Në deklaratën e përbashkët të firmosur në fund të bisedimeve, u bëhet thirrje grupeve të armatosura të ulin armët dhe të lirojnë godinat qeveritare në këmbim të amnistisë. Por që prej nënshkrimit të marrëveshjes, Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëra-tjerën për moszbatimin e saj.

Ushtria ukrainase nisi sulmin në orët e para të së premtes për të rimarrë nën kontroll qytetin lindor që mbahet nga milicia e armatosur pro-ruse. Ministri i Mbrojtjes Arsen Avakov deklaroi se ushtria ka marrë nën kontroll nëntë postoblloqe që formojnë një unazë në periferi të qytetit. Rebelët e mohojnë një fakt të tillë.

Dy helikopterë ukrainas janë rrëzuar nga separatistët dhe si media ukrainase ashtu edhe ajo ruse njoftojnë se pilotët e tyre janë vrarë. Një zyrtar i lartë sigurisë ukrainase tha për mediat se njëri prej helikopterëve është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, që nënkupton sipas tij, se separatistët e armatosur në lindje nuk janë thjesht ‘qytetarë që kanë armatosur veten’, ashtu sic pretendon Moska.

Katër prej atyre që qëlluan kundër helikopterit janë kapur, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në Kiev, por kreu i lëvizjes separatiste, Vyachslav Ponomaryov mohoi një fakt të tillë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ndërmarrë një seri sanksionesh ndaj Rusisë që godasin personat dhe kompanitë pranë Putinit. Të premten kancelarja gjermane Angela Merkel mbërrin në Uashington për t’u takuar me presidentin amerikan, Barack Obama ku kryefjala është kriza në Ukrainë.

Po të mërkurën, Ministria e Jashtme ruse akuzoi autoritetet ukrainase se kanë aktivizuar grupet e ekstremit të djathtë dhe të huaj anglisht-folës, për të cilët Moska thotë se janë mercenarë amerikanë.

“Ashtu sic kemi deklaruar edhe më parë, përdorimi i ushtrisë kundër popullit të vet është krim, një krim që po e con Ukrainën drejt katastrofës”, thuhet në deklaratë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button