Brexit, Merkel: BE është gati, presim Britaninë
“Kur Britania e Madhe të jetë gati, ne jemi gati të negociojmë. Kemi përfunduar planin dhe shpresoj që edhe Londra të respektojë afatet e përcaktuara. Duam ta bëjmë sa më shpejt dhe nuk shohim ndonjë pengesë në finalizimin e bisedimeve”, tha Merkel.
Rezultatet e zgjedhjeve ishin një goditje e rëndë për May, e cila kërkoi votimin për të forcuar pozitat në negociatat për Brexit-in. Por tani, humbja e shumicës i ka zhytur negociatat në pasiguri. Më herët, një zëdhënës i Merkelit refuzoi të komentonte lidhur me çështjen, në shenjë mirësjelljeje e respekti, derisa të përfundojë procesi i formimit të qeverisë së re në Britani.
Kryeministrja tha se do të krijonte qeverinë me Partinë e Unionit Demokratik të Irlandës Veriore, që siguroi 10 mandate. Për analistët, rezultati i zgjedhjeve nënkupton se May duhet të përballet me realitetin dhe të zbusë qasjen e saj ndaj Brukselit. Presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker tha se bisedimet duhet të nsinin sa më shpejt, ndërsa kreu i Këshillit Europian kujtoi se ato duhet të përfundonin sipas afatit të caktuar, në mars të vitit 2019. /TCH