Mbi 2.500 martesa në vit mes kosovarëve dhe zviceranëve?

A është më mirë që nuset ose dhëndurët t`i sjellim nga vendlindja apo që të rinjtë tanë të martohen “brenda llojit”, gjegjësisht të marrin partnerin-en nga rrethi ku jetojnë. Albinfo.ch ka kërkuar përgjigje.

Të veshur me elegancë, dhe të disponuar mirë, Nehat Shehu dhe Valentina Cena, kishin zgjedhur Cyrihun, që më 7 mars, të nënshkruajnë formalitetet e kurorëzimit për t`i dhënë fund beqarisë, me dokumente.

Nehati kishte marrë nuse nga Kosova por pa ndihmën e ndërmjetësuesit “mesitit”.

Derisa ishte ne lidhje me Valentinën ai shkonte shpesh në Kosovë për ta njohur më mirë nusen, ndërsa tani tha se i kishte rralluar vizitat vendit prej nga kishte migruar.

Valentina, vajza që po bëhet nuse në Zvicër thotë se “ndërrimi i unazave” ishte një moment i veçantë për të sidomos në Cyrih, larg familjes.

Valentina është teknike e farmacisë me profesion dhe thotë se më shumë janë muhabete sesa të vërteta pohimet se të rinjtë nga Kosova dëshirojnë të martohen në Zvicër vetëm për “letra”.

“Pa e dasht dikë nuk mund të vendosësh me braktis familjen e as vendin”, thotë Valentina.

Nehati dhe Valentina ishin njoftuar në Prizren.

“Ma kanë livdu nusen”, qeshet Nehati.

Por, Nehati kishte zgjedhur Cyrihun për të kurorëzuar dashurinë e tyre për shumë arsye.

Nusja nga Kosova, shkas për forcimin e lidhjes me vendlindjen

Këtu kishte kaluar shumë lehtë sa i përket kompletimit të dokumenteve. “Shkurt e shqip shumë thjesht është këtu në Cyrih”, thotë Nehati.

Çifti i sapo kurorëzuar ka planifikuar një dasmë me tradita në Kosovë, që sipas tyre mund të ketë një kosto të lartë për shkak të familjes së madhe.

Nehati kishte zgjedhur nusen nga Kosova por thotë se të rinjtë mund të zgjedhin të dashurit e tyre edhe këtu në Zvicër.

“Plus i madh është se unë tashmë i forcoj lidhjet me vendin prej nga vij, gjuhën, traditat etj.”, tha Nehati.

“Këtu me kohë asimilohesh dhe harron se prej nga i ke rrënjët”, thekson dhëndri. “Unë jam më shumë i lidhur me Zvicrën por kam bërë një kompromis që të paktën nusen ta kem nga Kosova”, tha Nehati.

“Edhe këtu edhe atje nuk ka shumë dallime varet krejt prej asaj se ku pëlqejnë të rinjtë njëri-tjetrin. Por, megjithatë preferoj mundësisht të paktën të jetë shqiptare.”, shprehet Nehati.

Në pritje të një “nuseje me vizë” për të ikur nga fukarallëku

“Jam tu prit naj nuse me vizë që t’ jetoj diku n’perëndim, se n’Kosovë s’ka kurgjo” këto janë fjalët e 27 vjeçarit Faik Asllani që ka ardhur për një vizitë te motra e tij në Austri.

Ai shprehet se është shumë vështirë që të planifikosh të krijosh familje në Kosovë, duke e marrë parasysh papunësinë atje dhe vështirësitë për të siguruar një jetë normale.

“Unë kam vendos, shpresoj që edhe Zoti ka vendos që t’ kem fat ta gjej një vajzë që jeton diku në perëndim. Dua ta kem një jetë më t’sigurt, një jetë me plan dhe me kualitet më t’mirë t’jetës.” thotë Faiku nga komuna e Gjilanit.

Nuk është vetëm Faiku që ëndërron të dalë diku në perëndim për një jetë më të mirë, por janë shumë të tillë në Kosovë që kanë dëshirë të dalin në shtetet perëndimore.

Por jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në perëndim dëshirojnë të martohen me një të ri apo të re nga Kosova. Ata madje japin arsyet e tyre se pse dëshirojnë që bashkëshorti apo bashkëshortja që do të martohen të mos jetë nga Kosova.

A ia vlen të presësh dhëndrin nga Kosova derisa ta mësojë gjuhën?

Hysnije Ajeti (54) nga Cyrihu tregon arsyen se pse është më mirë që vajza e saj të martohet me një shqiptar që jeton në Zvicër. Ajo ka menduar qysh më herët për këtë temë, dhe beson se është shumë më lehtë për vajzën e saj nëse martohet me një nga Zvicra.

“Arsyeja numër një është gjuha. Për vajzën time shumë më lehtë është nëse burri i saj e din gjuhën gjermane këtu në Zvicër, po ashtu që ka profesionin, dhe që e njeh kulturën zvicerane. Është barrë e rëndë për vajzën time, që burri i saj të fillojë nga e para si për gjuhë e si për profesion. Mendoj se kjo është arsye e fortë, dhe shpresoj që edhe vajza ime kështu mendon” thotë Hysnije Ajeti.

E këtij mendimi është edhe Vjollca Salihi (19) e cila thotë se ka mjaft shembuj këtu në Zvicër se si funksionon një çift i martuar ku partnerët janë rritur në dy shtete të ndryshme me gjuhë dhe kultura të ndryshme.

“Kemi mjaft shembuj, ku për shembull vajza është rritur në Zvicër ndërsa djali në Kosovë apo e kundërta, dhe jeta nuk është e lehtë për asnjërin. Vajza duhet t’i bëjë të gjitha, e sidomos deri sa të mësojë burri së pari gjuhën, e pastaj të gjejë punë. Pastaj përveç ngarkesës që kanë për jetë këta dy, gjithashtu duhet të mendojnë që t`i dërgojnë të holla vazhdimisht familjes së burrit në Kosovë. Ka mjaft shembuj, dhe njoh shumë që duhet të jetojnë kështu.

Megjithatë unë ia lë fatit dhe kohës që të zgjedh për të ardhmen time” thotë Vjollca, nxënëse që ndjek mësimet për dentiste në një ordinancë në Cyrih.

Cilat janë nuset më të mira: nga Zvicra apo nga Kosova?!

Mirëpo jo të gjithë mendojnë kështu. Ndryshe mendon Bedrie Daka nga Wädenswil (Zürich) që është nënë e dy djemve (23 dhe 17 vjeç). Ajo shpreh dëshirën që nuset e djemve të saj të jenë nga Kosova. Ajo thotë se ka dallim, dhe nuk është njëjtë si një nuse nga Kosova si një nuse nga Zvicra. Sipas saj të rinjtë në Kosovë kanë më shumë respekt dhe dinë më shumë.

“Është kultura dhe respekti ajo që e dallon rininë e Kosove me atë të Zvicrës. Të rinjtë në Kosovë dinë dhe janë më të pjekur, e dinë respektin më shumë. Djemtë e mi kisha pas dëshire t’i marrin nuset nga Kosova. Mendoj se martesa do të ishte më e sigurt nëse martohen nga Kosova, se këto nga Zvicra nuk durojnë shumë dhe për një problem të vogël e sjellin punën tek ndarja.”

Deri në vitin 1980 shqiptarët në Zvicër pothuajse të tërë ishin vetëm si emigrantë ekonomik, burra që kishin ardhur këtu pa familje, për të punuar.

Ndërsa nga vitet `90 të shekullit të kaluar shqiptarët filluan dalë ngadalë që të vijnë dhe të vendosen me familje dhe tash numri i shqiptarëve në Zvicër është diku mbi 200,000, të vendosur më me shumicë në kantonet gjermanofolëse. Me shtimin e numrit të shqiptarëve në Zvicër, është shtuar dhe shpeshtuar edhe numri i martesave ndërmjet tyre.

2291 kosovarë-e kanë lënë Kosovën për t`u martuar në Zvicër

Albinfo. ch ka kërkuar nga Zyra Federale për Migracion (BFM) shënime për kosovarët që kanë ardhur në Zvicër për bashkim familjar, gjegjësisht për martesë. Në përgjigjen e saj, zëdhënësja në BFM, Gaby Szolloszy shkruan se gjatë vitit 2013 në Zvicër gjithsej nga Kosova kanë ardhur 2646 persona, prej të cilëve 1314 janë burra, ndërsa 1332 gra. Nga ky numër, 2291 kanë ardhur te bashkëshorti ose bashkëshortja, gjegjësisht kanë migruar me qëllim martese. Ndërkaq vetëm 154 prej tyre kanë ardhur për punë.

Sidoqoftë, numri i kosovarëve dhe kosovareve që vijnë në Zvicër për bashkim familjar vjen duke u shtuar. Kështu, sipas Entit Federal për Migracion në Zvicër nëse në vitin 2009 për bashkim familjar nga Kosova gjithsej kanë ardhur 1976 persona, katër vite më vonë, në vitin 2013 numri i tyre është rritur në 2646./albinfo.ch/

Lajme të ngjashme

Back to top button