(FOTO) Protesta për 1 Majin, punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre

„LSM Mafi“, „Kërkojmë të drejta të punëtorëve“, „Në Kuvend të gjithë janë të njëjtë“, këto ishin parullat me të cilat shumë punëtorë dhe anëtarë të sindikatave protestuan me rastin e 1 Majit –Ditës ndërkombëtare të punës.

Derisa Lidhja e Sindikatave e festoi 1 Majin në mënyrë simbolike në sheshin “Maqedonia” anëtarët dhe përfaqësuesit e shumë sindikatave kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë. 

Marjan Ristevski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë, thekson se në Maqedoni është rrënuar organizimi sindikal duke e degraduar në vazhdimësi  veprimin e tyre në funksion të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.

“Një nga detyrat kryesore të konfederatës është që t’i kthehet dinjiteti dhe vlera funksionit që e ka sindikata, sepse ajo sot është krejtësisht e degraduar dhe vlen për tallje”, thotë Risteski, duke theksuar se kjo gjendje duhet të ndryshohet sa më parë, sepse tashmë vihet në pikëpyetje dinjiteti i punëtorit.

Edhe lëvizjet majtiste “Solidarnost” dhe “Lenka” përmes protestave në qendër të Shkupit, i ka kanë bërë thirrje Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë që përfundimisht të vihet në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.

“Përderisa shkelen të drejtat e punëtorëve, përderisa përmes ndryshimeve ligjore edhe më shumë ngushtohet hapësira e të drejtave të punëtorëve , njëkohësisht është në rritje varfëria dhe thellohet hendeku mes klasave, mënyra e vetme për të shënuar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, është përmes protestave”, thekson Zdravko Savevski, nga lëvizja majtiste “Solidarnost”.

Nga ana tjetër, Tamara Çausidis, nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve medial ka paraqitur kërkesa konkrete për punonjësit në media:

“ E dini, gjithmonë ka pasur bisedime mes sindikalistëve dhe qeverisë dhe premtime po asgjë konkrete nuk është realizuar. Andaj, kërkojmë që menjëherë të barazohet paga minimale në të gjitha sektorët, ndërsa punëdhënësit, për të cilët do të konfirmohet se nuk paguajnë pagë minimale drejtpërdrejt të dënohen, pa marrë paraprakisht ftesa për edukim”.

“Njëherësh do të kërkojmë të shfuqizohet procedura për pajtim, me të cilën kushtëzohet fillimi i grevës dhe e drejta e organizmit të grevës krahas anëtarëve të sindikatës, të ketë edhe punëtorë në ndërmarrje, si dhe respektim konsekuent të së drejtës për organizimit sindikal”, ka deklaruar Çausidis.

Këto kërkesa sindikalistët kanë thënë se do t`ia dorëzojnë qeverisë së ardhshme menjëherë pas formimit të saj. Sindikalistët kanë përfunduar protestat e sotme para Qeverisë së Maqedonisë duke brohoritur “Kërkojmë të drejta sociale , barazi sociale , 1 Maj jeton”, etj

Lajme të ngjashme

Back to top button