Dasmat tragjike

Para zgjedhjeve Ahmeti pat thënë se nuk do të bëjë dasmën pa nusen. Megjithatë ai bëri dasmën. Në të vërtetë, me apo pa nuse të gjithë bënë dasma. Madje disave nusja u pat përfunduar te fqiu. Të tjerë bënë dasma fshehurazi e pa muzika. Gruevski dukej shumë i lumtur, pasi nusja vizualisht i dukej boll e bukur, por me një reputacion shumë të ulët moral dhe një dinakëri të skajshme. Por, ai vazhdon të aktrojë lumturi, aq më shumë kur me ndihmën e “aksionit të artë” të GROM-it ai bënë një shumicë absolute, por me kapacitete relative. Kështu që, së shpejti në kokën e tij do të thyhen të gjithë çanakët dhe gotat e dasmorëve të dehur.

E para. LSDM nuk pranon mandatet, që në këso gjendje të ngushtë paraqet grusht të madh për pushtetin, jo vetëm për shkak të zbehjes së legjitimitetit të zgjedhjeve, por edhe për shkak të vendimeve politike tejet të vështira që do të duhet të merren muajve të ardhshëm. Emri domosdo duhet të zgjidhet. Pasojat nga ky “infarkt” vështirë se do të mund t’i amortizojnë as televizionet gebelsiste – MTV, Sitel, Kanal 5, Alfa, të cilat vite me radhë merren me produkcion të mashtrimeve dhe të maskave të rrejshme. Kështu që mospranimi i mandateve nga ana e opozitës, do të jetë një gur i madh shtesë në qafën e Gruevskit.

E dyta. BDI doli aq e fuqishme nga zgjedhjet sa as Zoti nuk mund t’i ndihmoj PDSH-së që të bëhet pjesë e qeverisë. Veç nga ajo që BDI e futi në borxh VMRO-në për ndihmën tejet direkte që ajo ia dha kësaj partie përmes bojkotit të zgjedhjes së presidentit (një servil apo një hije e premierit). Çdo injorim eventual i kësaj partie sigurisht se do të çoj në shkatërrim të sigurt të regjimit të Gruevskit.

E treta. Në gjithë këto dasma, një punë mbetet akoma e paqartë. Ajo është – përse bashkësia ndërkombëtare nuk ishte aq rigoroze për keqpërdorimet e mëdha zgjedhore që bëri regjimi i Gruevskit dhe nuk kërkoj përsëritjen e tyre (siç bëri me Shqipërinë në vitin 1996, kur Berisha pat refuzuar përsëritjen e zgjedhjeve, me çka një vit më vonë ndodhi një avari tejet e madhe, sa që edhe vet Berisha mezi shpëtoi kokën). Përgjigja është – zgjidhja e emrit. Kjo definitivisht do të duhet të ndodhë brenda tremujorit të ardhshëm, para samitit të NATO-s në shtator të këtij viti, edhe atë personalisht nga Gruevski. Kjo për premierin do të jetë një fund tragjik, pasi ai do të jetë i detyruar që ta pret degën në të cilën tani tetë vite jeton e përjeton. Nëse nuk tregohet i dëgjueshëm, atëherë do të vazhdojnë të fluturojnë shiritat taze, kur të gjithë do të dëgjojnë dhe shohin anën tragjike të një patriotizmi të rrejshëm, por edhe lajthitjet e veta për të votuar për tragjedinë e tyre. Kurse aktorët do të përfundojnë aty ku përfunduan Sanader dhe Jansha.

Kjo me “Makedonska banka”, “Zagorec”, “Aktor” “Ivonce-milionçe”,”ndriçimet rrugore”, banesat e Bonevës dhe të VMRO-së, ishin vetëm një paralajmërim se çka do të mund t’i gjejnë nëse nuk vazhdojnë të jenë të padëgjueshëm. Atëherë të gjithë njerëzit do të kuptojnë se e vetmja punë e bardhë e pushtetit të Gruevksit kanë qenë paratë e zeza, të maskuara me patriotizëm të rrejshëm. Atëherë do të shohin se mbreti na qenka krejt cullak. Do të kuptojnë se mashtrimet qiellore kanë shërbye për të maskuar paratë nëntokësore. A mund ta dojë popullin e vet ai që e vjedhë, që e mashtron, që e varfëron, që e shpërngul, që e ndanë e përçanë, që e detyron në urrejtje. Ai që krijon ambient shoqëror pa moral, pa turp, pa ndërgjegje e pa përgjegjësi? A nuk shohin se fëmijët e dikujt vozitën në vetura të tërbuara, kurs e tjerët çojnë jetë të tërbuar? Se familjet e dikujt jetojnë në vila luksoze e jahte të bardha, kurse të tjerët çojnë jetë të zezë?. Se kompanitë e disave lajnë para në shtete të “parajsat tatimor”, kurse tjerët çojnë jetë ferri?

Ditë më pare shkrova një kolumnë ku potencova se shteti gjendet para tri infarkteve. I pari i cili nuk do të ishte katastrofal e që do të ndodhte menjëherë pas zgjedhjeve. I dyti,  ,cili do të mund të jetë tejet i rrezikshëm dhe që pritet të ndodhë pas Samitit të NATO-s në shtator. Dhe i treti, sigurisht vdekjeprurës, që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm, kur nuk do të na jepet më kredi, kurse do të duhet të kthejmë 650 milion euro borxh. Duket se do të kemi shumë dasma, me apo pa nuse, por gjithsesi – tragjike. /Inbox-7

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button