Rama: Ja skema e re e pensioneve

Qeveria ka prezantuar sot reformën e skemës së pensioneve, që do të nisë vitin e ardhshëm. Kryeministri, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për “Reformën e pensioneve”, të organizuar në Arkivin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u shpreh se, nuk do të ketë rritje të menjëhershme të moshës së daljes në pension.

“Duke filluar nga janari 2015, për gratë do të rritet me dy muaj në vit mosha e punës, në mënyrë që të arrijë mosha 63 vjeç në 2032. Për burrat vetëm në vitin 2032 do të nisë një rritje e cila synon të shkojë në 67 vjeç,” u shpreh Rama.

Kryeministri duke vënë në pah dobësitë e skemës aktuale që sjellë çdo vit një dëm prej 430 milionë dollarë pasi kemi 700 mijë kontribuues që sjellin 510 milionë dollarë dhe nga ana tjetër 570 mijë pensionistë që përfitojnë 956 milionë dollarë, Rama nënvizoi se do të hiqet dhe tavani i pensionit dhe kjo do të nxisë deklarimin real të pagës reale për efekt të pensionit.

“Kemi një gropë prej 430 milionë dollarë dhe vetëm ata të cilët pushtetin mund ta konsiderojnë si një instrument për të bërë gjithçka tjetër, por jo një qeverisje, mund ta linin vendin të vinte deri këtu deri në pikën ku ne sot e kemi të domosdoshme një reformë që koha e kërkon me urgjencë”, theksoi Rama.

Për ata persona që nuk kanë mbushur vitet e kontributeve por kanë mbushur moshën për daljen në pension, do të ketë pension social. “Janë 5 mijë persona që kanë mbushur moshën dhe nuk mund të marrin pension në 2015, sepse nuk plotësojnë vitet e kontributeve. Këtu fillon reforma. Pensioni social vjen si ilaçi i parë për këtë gangrenizim të gjithë sistemit të pensioneve, që rrezikon të kolapsohet”, tha Rama.

Para se të mbërrijë në Kuvend, reforma e pensioneve pritet të kalojë përmes një procesi të gjerë konsultimesh me grupet e interesit. Rama u shpreh se, qeveria është e vendosur të shtrojë përpara gjithë opinionit dhe të interesuarve për debat një dokument me opsione të hapura për ballafaqim këndvështrimesh./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button