Objektivi i agjërimit – devotshmëria

Muajin e bekuar të Ramazanit e përjetojnë plotësisht besimtarët e vërtetë. Ky është një muaj në të cilin Allahu (xh. sh.) ka bërë obligim që të agjërojmë, në mënyrë që të mund arrijmë të bëhemi të drejtë ndaj vetvetes, ndaj të afërmëve, ndaj të tjerëve e shoqërisë në përgjithësi, dhe vetëm kështu të arrijmë gradën e devotshmërisë e të jemi vërtet të vetëdijshëm për Allahun mëshirëplotë. 

Shkruan: Zekirja METUSHI

Devotshmëria dhe drejtësia janë pikërisht virtytet e besimtarëve të rangut të lartë, jo vetëm në botën tjetër – ahiret, por gjithashtu edhe në jetën e kësaj bote. Allahu (xh. sh.) thotë: “… A nuk shihni se Allahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet dhe i heq ato atij që do, e sikur Allahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na sharronte në tokë edhe neve; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!  Atë vend të përjetshëm (xhenetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut.“  (El-Kasas: 82-83)

Kohët kanë ndryshuar në mënyrë drastike gjatë shekujve, që nga gjeneratat e hershme deri në brezin tonë jo dhe aq të lavëdruar, sepse ata të parët synonin vetëm arritjen e kënaqësisë së Allahut (xh. sh.). Mesa duket, shqetësimi ynë, sot, është vetëm për gjërat materiale.

Allahu (xh. sh.) thotë: “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm. Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata); ardhmëria e mirë është e atij që ruhet”. (Ta Ha: 131-132)

E vërteta është që të drejtët dhe të devotshmit janë me të vërtetë ata të cilët gëzojnë lumturi në këtë jetë. Duke qenë adhurues të të Vetmit,  i Cili meriton adhurim,  të Allahut (xh. sh.), ata do të zënë gradat më të larta në Xhenet në botën tjetër.

Muajin e bekuar të Ramazanit e përjetojnë plotësisht besimtarët e vërtetë. Ky është një muaj në të cilin Allahu (xh. sh.) ka bërë obligim që të agjërojmë, në mënyrë që të mund arrijmë të bëhemi të drejtë ndaj vetvetes, ndaj të afërmëve, ndaj të tjerëve e shoqërisë në përgjithësi, dhe vetëm kështu të arrijmë gradën e devotshmërisë e të jemi vërtet të vetëdijshëm për Allahun mëshirëplotë.

Devotshmëria në veten tonë është e përfaqësuar nga frika jonë që duhet pasur kundrej Zotit, e kjo arrihet duke vepruar në përputhje me shpalljen e Tij – Kuranin, dhe duke u kënaqur me çdo gjë, sadoqoftë ajo e vogël, që ai siguron, si dhe përgatitjen tonë për ditën e ndarjes nga kjo botë.

Lloji i veçantë i devotshmërisë që ne do të përpiqemi për të fituar në Ramazan është lloji i të qenit i ndjeshme. Besimtari nga agjërimi mund të fitojë këtë gjë, sepse ky muaj i jep besimtarit atë që ai dëshiron, që të mund të shmanget ai, jo vetëm nga dënimi i botës tjetër,  por edhe nga dënimi i kësaj bote, nga shqetësimet e thella shpirtërore dhe varfëria shpirtërore.

Duke ndjekur obligimet dhe urdhërimet që janë nga Zoti, si dhe të shmangurit nga të gjitha çështjet e ndaluara, patjetër që do të arrijmë devotshmërinë. Agjërimi ka një marrëdhënie të veçantë shtesë që krijon mes besimtarët dhe devotshmërinë.

Ne si qenie njerëzore jemi shumë të mëshiruara nga i Gjithëmëshirshmi, me atë që na dhuroi gjymtyrë, të tilla si sytë, veshët, duart, gjuhën, stomakun dhe pjesë tjera që janë në vendin e duhur,  që kryejnë funksion në mënyrë të përsosur. Zemra është komandanti dhe kontrollues i të gjitha atyre. Zemra ‘agjëron’, kur ajo drejton adhurimin e vet dhe shërbimin plotësisht dhe krejtësisht për hir të Allahut (xh. sh.). Një zemër që “agjëron” i afrohet më shumë Allahut,  me bindje dhe nënshtrim ndaj Allahut (xh. sh.). Ajo e pranon plotësisht përgjegjësinë, si dhe kryerjen e të gjitha obligimeve, si dhe përmbahet nga të gjitha aktet e ndaluara që i ka caktuar Allahu (xh. sh.). Ky lloj i zemrës sinqerisht adhuron vetëm Allahun (xh. sh.).  Kjo është një zemër e fortë dhe e devotshme, e cila agjërimin, lutjet dhe të gjitha veprimet tjera i ka bërë vetëm për hir të Allahut (xh. sh.).  Në fakt, e gjithë jeta dhe vdekja e tij janë për të Madhërishmin Allah (xh. sh.).

Muhamedi (a. s.) ka thënë, siç e regjistron këtë Buhariu dhe Muslimi: “Ai që agjëron muajin e Ramazanit, me besimi të sinqertë dhe duke kërkuar shpërblimin e agjërimit të tij, do t’i falen të gjitha mëkatet që ka kryer para tij.

Nëse zemra korrigjohet, atëherë detyrimisht gjymtyrët do të korrigjohen. Ato do të ndjekin drejtimin e treguar nga zemra, që të jenë të bindura ndaj Allahut (xh. sh.),  që të qëndrojnë larg nga ndalimet që i ka caktuar Ai.

Prandaj, stomaku do të mbrohet me atë që merr në rrugën e ushqimit dhe të pijes, duke e bërë këtë vetëm për hir të Allahut (xh. sh.). Zemra do të arrijë vetëkontroll mbi kënaqësitë, dëshirat dhe epshet, për shkak të nivelit të lartë të devotshmërisë që ka besimtari në zemrën e vet. Besimtar i devotshëm është ai që përmbahet nga mbingrënia dhe parandalon gjymtyrët e tij nga veprimet e liga, jo vetëm që të mos lëndojë veteveten,  por as edhe të tjerët. Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Shejtani qarkullon në venat e birit të Ademit ashtu si gjaku i tij.

Allahu (xh. sh.) me të shpallur Kuranin, pikërisht në muajin e agjërimit,  që dallohet njëherit dhe si muaji i mundësisës së arritjes së devotshmërisë, bëri që monoteizmi të vazhdojë të jetë edhe mëtej në këtë ruzull tokësor, që besimdrejtët të rrisin devotshmërinë e tyre. Besimtarët gjatë ditës së Ramazanit i burgosin epshet dhe dëshirat e tyre. A ata me të vërtetë kështu përmbushin kuptimin e devotshmërisë, duke ngrënë në iftar e syfyr me masë, ndërsa një pjesë të ushqimit e ndajnë për persona të uritur, që edhe ata t’i bëjnë të lumtur, të gëzuar e të kënaqur.

Allahu (xh. sh.) ka caktuar agjërimin që të na pastrojë dhe të dallohen të devotshmit nga të pabesët. Ai, i cili e fillon ditën e tij të Ramazanit që nga imsaku duke qendruar larg ushqimit e pijes, me objektivin e tij të vetëm arritjen e kënaqësisë së Krijuesit të vet, është pikërish ai që merr shpërblimin direkt nga Vetë Mëshirëploti, siç thuhet decidivisht  në hadithin kudsij:  “Agjërimi është për Mua dhe Unë do ta shpërblej agjëruesin.

Devotshmëri shfaqin edhe gjymtyrët e trupit, jo vetëm zemra. Nëse një person gjatë Ramazanit nuk heq dorë nga gënjeshtra, nga sjelljet e liga dhe të gjitha gjërat që e bëjnë atë të humbet nga karakteri i një besimtari të vërtetë, nuk mund të themi se gjymtyrët e tij kanë arritur devotshmërinë, si: veshët, sytë,  gjuha dhe organet e tjera të trupit të tij.

Allahu e bëri agjërimin obligim për ne si një mbrojtje dhe një “mjet” për të hyrë në xhenet.

Shembull më i mirë se si duhet të jemi gjatë Ramazanit është Muhamedi (a. s.),  i cili ndryshonte tërësisht gjatë këtij muaji në të gjitha dimensionet e tij si njeri. Qëndronte gjithë natën në lutje dhe do të zgjonte familjen e tij për adhurim.

Ata që tregojnë frikë dhe respekt ndaj Krijuesit, janë ata që gjithmonë alternojnë mes namazit, leximit të Kuranit, dhikrit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me të afërmit e tyre. Më i miri besimtar është ai që ka jetë të gjatë dhe bën punë të mira, ndërsa më i keqi është ai që jeton gjatë dhe bën punë të këqija.

Nuk mund të llogaritet besimtar i vërtetë e i drejtë ai që, thjesht, vetëm abstenon nga haja e pija, duke bërë gjumin me stomakun plot, kurse njerëzit rreth tij janë të uritur, dhe kështu të mendojnë se ka përmbushur kuptimin e devotshmërisë.

Pra, të mos na ikë ky muaj pa e përmbushur objektivin final të agjërimit-devotshmërinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button