Parlamenti konstituohet brenda 20 ditëve qeveria më së voni deri më 16 qershor

Sipas nenit 81 të Kushtetutës së Maqedonisë, presidenti i ri i zgjedhur Gjorgje Ivanov duhet të fillojë mandatin e tij më së voni deri më 12 maj me dhënien e deklaratës para parlamentit.

Përbërja e re parlamentare, në përputhje me Kushtetutën duhet të konstituohet më se voni 20 ditë nga dita e zhvillimit të zgjedhjeve, deri më 17 maj.

Nëse nuk mbahet mbledhje konstituive në afatin e parashikuar, atëherë deputetët vetë mbajnë mbledhje konstituive dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të të përfundimit të zgjedhjeve, ose kjo i bie të jetë më 18 maj në ora 10:00. Në këtë rast, mbledhjen e thërret deputeti më i moshuar, e nëse edhe ai nuk pranon të bëjë një gjë të tillë, atëherë vazhdon pasuesi tjetër më i moshuar e kështu me radhë, deri te deputeti që do të pranojë të mbajë mbledhjen konstituive. 

Mandati i deputetëve, Kuvendi e verifikon në mbledhje konstituive me propozim të Komisionit verifikues. Kuvendi mund ta shtyjë verifikimin e mandatit të deputetit dhe të kërkojë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve t’i kryejë shqyrtimet e nevojshme, për shkak të kontrollimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së zgjedhjes së bërë dhe në afat prej 30 ditësh për këtë ta njoftojë Kuvendin.

Qeveria, me propozimin e mandatarit dhe në bazë të programit, duhet të zgjidhet në Parlament me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, më se voni deri më 16 qershor. 

Lajme të ngjashme

Back to top button