A duhet t’i besojmë Zaevit?

Këso pyetjesh bëhen vetëm në shoqëri  kryepleqësh, sepse në demokraci asnjëherë nuk i besohet pushtetarit. Aty vlen motoja “duaje vendin, por kurrë mos i beso qeverisë”

A duhet t’i besojmë Zaevit? Kohëve të fundit po shoh e ndëgjoj se në gjuhët e gjithkujt, sidomos shqiptarëve, rrotullohet pyetja nëse duhet t’i besojmë apo jo Zaevit. Është kjo një nga ato pyetjet naive, me përgjigje të qartë, e që megjithatë preokupon mendjen e shumicës, sikur të bëhej fjalë për çështje jete a vdekje. Që të mos e zgjas, menjëherë po them se përgjigja është një JO e prerë. Ne nuk duhet t’i besojmë Zaevit, ashtu siç nuk duhet t’i besojmë as Gruevskit, Ahmetit,  Kasamit e Selës, madje as Ramës, Thaçit, Merkelit e Trampit. Këta janë të gjithë politikanë dhe në një shoqëri demokratike raporti ndërmjet qytetarëve dhe pushtetarit nuk duhet të jetë raport besimi apo mosbesimi. Këto pyetje janë relevante vetëm në sisteme autokratike, në shoqëri kryepleqësh. Në demokraci raporti i shoqërisë me pushtetin është krejtësisht i ndryshëm, e ai assesi muk guxon të shndërrohet në raport vazaliteti, siç implikon pyetja e besimit. Në demokraci nuk ka vend për pyetje të këtilla; në demokraci përgjigja përherë është JO.

Shoqëritë me kryepleq. Në shoqëritë me kryepleq sovran është sundimtari, qoftë ky perandor, mbret, sulltan, padishah, faraon, i aftë apo i paaftë, i mirë apo i ligë. Sovrani është lider suprem deri në vdekje dhe në këto shoqëri pozicioni i njeriut të thjeshtë është ai i vartësit, skllavit. Ai në çdo moment është rob i tekave të sundimtarit dhe për të çështja e karakterit të sundimtarit është çështje jete a vdekje. Mu për këtë pyetja nëse duhet apo nuk duhet t’i besohet ka rëndësi primare, sepse sapo të vijë në krye të pushtetit sundimtari nuk mund më të kontrollohet me asnjë mekanizëm politik.

Kështu pyetja nëse duhet t’i besojmë Zaevit, nëse ai do të na dilka “i mirë” apo “i keq”, më shumë flet për mentalitetin tonë si shoqëri. Ky është mentalitet robi, skllavi, që te besimi apo mosbesimi ndaj pushtetit sheh shpëtimin ose dështimin e gjithë shoqërisë. Këtu gjithçka është e personfikuar te lideri, në duart e tij është fati i vendit, prej tij buron shpresa dhe dëshpërimi, e mira apo e keqja e shoqërisë.

Shoqëritë demokratike. Në shoqëritë demokratike sovran i vërtetë është populli. Shoqëritë e këtilla të shëndosha udhëhiqen nga motoja: “Duaje vendin, por kurrë mos i beso qeverisë”. Në këto shoqëri raporti i qytetarit me pushtetin është raport i shefit me punëtorin. Në demokraci lideri nuk është “boss”, por veçse një i punësuar nga populli, i cili mund t’a shkarkojë kur të dojë. Pushtetarit nuk ka çka t’i besohet apo mos t’i besohet; ai duhet të thirret në përgjegjësi sapo të mos i bindet vullnetit të popullit.

Në demokraci nuk është me rëndësi nëse duhet apo s’duhet t’i besojmë një kryeministri, sepse në demokraci mosbesimi vjen me automatizëm. Më me rëndësi është të ruhen mekanizmat politikë të kontrollit, ashtuqë ai të mund të dënohet kur të gabojë. Ky është dhe problemi kyç që patëm në Maqedoni dhjetë vitet e kaluara. Çështja nuk ishte se ju besuam Gruevskit e Ahmetit e pastaj ata na tradhëtuan, por te fakti që lejuam të humben mekanizmat e kontrollit dhe lamë që nga një shoqëri demokratike të shndërrohemi në shoqëri kryepleqësh. Prandaj tani nuk duhet të preokupohemi edhe aq me karakterin e Zaevit, nëse ai na qenka i sinqertë apo mashtrues, sa të jemi syçelë që institucionet e shtetit të luajnë rolin që e kanë në letër dhe të mos lejojmë kidnapim të sërishëm të tyre nga qeveria.

100 ditët. Pra përgjigja e drejtë, me automatizëm, është se s’kemi pse t’i besojmë Zaevit, sepse në demokraci nuk duhet besuar asnjë politikani. Me sa e di ne pretendojmë të jetojmë në shoqëri demokratike, ku pyetjet e këtilla aspak nuk duhet të jenë relevante. Më tepër se besimi tek Zaevi ne duhet të shqetësohemi me çështjen nëse institucionet do të kthehen në binarë, nëse vërtetë ato do të departizohen dhe mbi të gjitha nëse do të kthehet drejtësia në vend. Vetëm sundimi i të drejtës, ku nuk ka besim apo mosbesim por ka fakte dhe drejtësi, është garancë se kurrë më nuk do duhet t’u nënshtrohemi tekave të qeveritarëve.

Në demokraci është rregull që çdo qeverie të re t’i jepet një periudhë 100 ditëshe, kur duhet të japë shenja se si mendon t’a qeverisë vendin. Është zakon që në këtë periudhë qeveria mos kritikohet, përveç nëse merr ndonjë hap të gabueshëm drastik me pasoja afatgjate.

Po në këtë drejtim duhet të shohim raportet e qytetarëve me Zaevin si kryeministër. Po përsëris se atij s’kemi pse t’i zëmë besë. Si çdo kryeministri tjetër atij i takojnë 100 ditë për t’a dëshmuar veten. Pastaj do të jetë i hapur për kritika, sepse fundja ne nuk i kemi ndonjë borxh. Përkundrazi ai na ka borxh të fillojë të rregullojë problemet për të cilat e kemi punësuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button