Ramazan, lëmosha e gëzon një të varfër – Gëzoje edhe ti

Kuptimi i fjalës fitr është hapje e agjërimit. Ndërsa sadakaja e fitrit është ai adhurim pasuror që jepet si falënderim për mundësinë që Allahu i ka dhënë myslimanit për vlerësimin dhe përjetimin e Ramazanit dhe për përfitimin nga begatitë dhe mirësitë e tij.

Përfitimet që sjell

Profeti Muhamed a.s. e bëri detyrim sadakanë e fitrit për të pastruar agjëruesin nga papastërtitë e fjalëve dhe veprimeve të pahijshme, duke e caktuar atë si ushqim për të varfrit. Përfitimet e saj mund t’i ndajmë në dy këndvështrime të ndryshme, personale dhe shoqërore.

Njeriu për shkak të natyrës së tij njerëzore, mund të bjerë në gabime, të cilat përbëjnë mangësi në procesin e agjërimit dhe në këtë këndvështrim, kjo sadaka është një praktikë që e çon agjërimin drejt përsosmërisë.

Kurse nga këndvështrimi shoqëror, ajo, veçanërisht në ditët e Bajramit, shërben për pasurimin e sofrave të të varfërve. Me anë të saj mundësohet afrimi i të pasurit me të varfrin dhe zbuten sadopak diferencat që ekzistojnë midis tyre. Ndoshta edhe për këtë shkak masa e saj është ruajtur në një kufi të vogël dhe ka lehtësi pagese, për t’i dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve që të ndiejnë kënaqësinë që arrihet kur ndihmon të tjerët.

Për kë është detyrim?

Në disa prej haditheve të transmetuara nga i Dërguari ynë a.s. gjenden dhe shtesat i madh – i vogël, i pasur – i varfër dhe sipas gjykimit që jep Medh’hebi Hanefi, i cili merr parasysh të gjitha këto transmetime, njëlloj si te zekati edhe sadakaja e fitrit ka një masë të caktuar. Kusht për dhënien e saj, shumica e dijetarëve myslimanë kanë caktuar që personi të ketë sasi ushqimi për veten dhe familjen e tij për natën dhe ditën e bajramit.

Çdo person duhet ta japë këtë sadaka në emër të çdo pjesëtari të familjes, i vogël apo i madh, për të cilin është përgjegjës për sigurimin e nevojave të tij.

Sasia dhe masa e kërkuar

Në hadithet lidhur me sadakanë e fitrit bëhet e ditur se, në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s., ky adhurim pasuror është kryer në sasinë 1 sá (afërsisht 2.5 kg) nga lëndët ushqimore të përdorura më shumë në atë periudhë, si hurma, elb, rrush i thatë, etj. Kjo lëmoshë, ashtu siç mund të jepet nga mallrat e lartpërmendura, mund të jepet dhe në vlerë monetare të barasvlershme me masën e përcaktuar më lart.

Koha e dhënies

Sadakaja lejohet të jepet në ditët e Ramazanit, por është kusht që të nxirret para namazit të bajramit. Kjo, edhe pse është më mirë që të vonohet deri një ose dy ditë para bajramit.

Kategoritë që e përfitojnë

Shumica e dijetarëve mendojnë se sadakaja e fitrit i jepet shtresës së varfër prej myslimanëve. Në origjinë, ajo është obliguar për t’ua dhënë nevojtarëve dhe të vobektëve.

Nuk lejohet për besimtarin që sadakanë e tij t’ua shpërndajë personave për të cilët ai është përgjegjës për sigurimin e jetesës së tyre si: nëna, babai, gruaja, fëmijët, nipat, gjyshi, gjyshja, sepse përfitimet e saj do t’i kthehen prapë atij. Dijetarët janë të unifikuar në mendimin se ajo duhet t’u jepet të varfërve. Besimtari sadakanë e tij duhet ta shpërndajë te nevojtarët duke filluar së pari nga kushërinjtë e afërm dhe pastaj tek ata më të largët, te komshinjtë e më gjerë, por mund t’ua japë edhe myslimanëve që jetojnë në qytete apo vende të tjera.

Fitrat mund t’u jepen edhe nxënësve apo studentëve myslimanë, të cilët nuk mund të përballojnë shpenzimet e tyre. Referuar Medh’hebit Hanefi, besimtari duhet të bashkojë sadakanë e tij dhe të familjes dhe t’ia dhurojë atë një personi.

Nuk është kusht që atij që i dhurohet t’i thuhet se ajo është sadaka-i fitri.

Burimi: http://www.dritaislame.al/sadakaja-e-gezon-nje-te-varfer-gezoje-edhe-ti/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button