Japonia i kërkon Kosovës borxhet e ish- Jugosllavisë

Japonia mund të japë në vazhdimësi donacione për Kosovën, por nuk harron të kërkojë edhe borxhet e veta. Bëhet fjalë për borxhet e trashëguara nga marrëveshjet që ky shtet i ka bërë më herët me ish- Jugosllavinë, e që Qeveria në Prishtinë është zotuar se do t’i mbulojë të gjitha që janë realizuar në territorin e Kosovës.

Republika e Kosovës tashmë i ka nisur procedurat e shlyerjes së borxheve të trashëguara nga ish-Jugosllavia. Një veprim i tillë është në proces me Bankën Botërore, por tash ky sistem ka nisur të aplikohet me shtetet veç e veç të cilat më herët kanë bërë marrëveshje me ish-Jugosllavinë.

Shteti i parë që pritet të përfitojë nga ky veprim është Japonia. Për këtë qëllim Qeveria e Kosovës ka përgatitur një vendim ku zotohet për kthimin e këtij borxhi, por të njëjtin vendim nuk e miratoi mbledhjen e kaluar duke e shtyrë për takimet e ardhshme.

Sidoqoftë, gazeta Tribuna ka siguruar një kopje të këtij dokumenti ku sqarohet se Prishtina do t’ia kthejë borxhin Japonisë.

“Ministria e Financave ka propozuar që në mbledhjen e Qeverisë të miratohet vendimi për zotimin e Kosovës që të marrë përsipër borxhet e mundshme nga marrëveshjet e vjetra në mes të Ish-Federatës Jugosllave dhe Japonisë, të realizuar në territorin e Kosovës dhe të kryejë obligimet për to pasi të arrihet marrëveshja e sukcesionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ministria e Financave do të komunikojë me qeverinë japoneze për të informuar lidhur me zotimin e Qeverisë”, thuhet në vendim. /Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button