Vashat nga Çairi shpartalluan edhe Gjorçen

Nuk kanë të ndalur vashat nga Çairi të cilat edhe një herë kanë dëshmuar se janë gati për tu bërë pjesë e Ligës më të mirë henbollistike të Maqedonisë. Ndeshjen e radhës që vashat e KH Çairi e kanë luajtur në sallën “Enver Idrizi” e kanë mundur një ndër ekipet më të forta të Ligës së Parë, siç është KH Gjorçe, që mban pozitën e dytë në tabelë.
Dëshira e madhe për të triumfuar, shpirti luftarak edhe një herë ka ardhur në shprehje dhe kanë përmbysur rezultatin e pjesës së parë, e që ishte në të mirë të mysafireve 13:8.

“Nuk kam mundësi që të gjej fjalë me të cilat do ta përshkruaj këtë gëzim. Është një fitore shumë e merituar, ndaj një kundërshtari shumë të fortë, e që me shpirtin luftarak që kanë treguar vashat e mia, edhe një herë të përkrahura nga publiku i mrekullueshëm, që na ka shtyrë deri te suksesei. I uroj gjithë vajzat dhe ekipit të trajnerëve për punën që po bëjnë”, ka thënë trajnerja Mia Islami.

Edhe kësaj radhe në listën e golashënuesve më të mira ishte e pandalshmja Melisa Ajdini, e cila 9 herë ka detyruar portierin e Gjorçes të nxjerr topin nga porta, ndërsa atë e ka ndihmuar edhe Ena Drpljanin me 5 gola.

Merita të veçanta për këtë triumf ka portierja e shkëlqyer, Melekie Bushi, e cila arriti të mbroj 10 gjuajtje, ndërsa nga 10 penalti ka ndalë 3 herë goditjet kundërshtare.

Tani KH Çairi është ngjitur në pozitën e pestë të tabelës dhe është shumë afër  skuadrave më të mira.  Kjo ndeshje në fund ka përfunduar me rezultatin 24:21, ndërsa edhe një herë do të përmendim se meritat ka edhe publiku i mrekullueshëm, që ka qenë pjesë e pa ndarë e vashave edhe në momentet kur ishte në krizë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button