Qytetarët të shurdhër ndaj skandaleve të pushtetit!

Skandalet korruptive të VMRO DPMNE-së por edhe BDI-së, që i zbulon opozita, edhe në kohë fushate nuk kanë lëkundur besueshmërinë e qytetarëve ndaj subjekteve politike në pushtet. Të paktën kështu shihet nga anketat e fundit por edhe rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas analistëve kjo ndodh për shkak të varshmërisë së qytetarëve nga partitë por edhe mungesës së institucioneve të pavarura.

“Kjo ndodh nga vet fakti se gjykata është nën kontroll absolut dhe denoncimet opozitare presin epilogun e zgjedhjeve e nëse përsëri fiton VMRO atëherë këto do të jenë afera të harruara. Nëse në mesjetë populli kishte të drejtë të kërkonte varjen e hajdutit, tani nuk ka asnjë të drejtë sepse organet demokratike e kanë suspenduar këtë të drejtë dhe populli më lehtë e pranon varfërinë dhe varësinë sesa të protestoje kundër ndonjë zyrtari që vjedh”, vlerëson për Portalb, analisti Alajdin Demiri.

Sipas profesorit Zdravko Saveski, në të gjitha shtetet demokratike nëse një zyrtar zbulohet të ketë pasur lidhje në një skandal korruptiv, ai mban përgjegjësi morale dhe jep dorëheqje, përndryshe shpallet si person i pa moralshëm nga qytetaret.
“Te ne ndodh krejt e kundërta, zbulohen afera korruptive edhe askush nuk reagon, as populli e as organet kompetente. Është e mjerueshme se çfarë mentaliteti kemi. Te ne nuk është asgjë serioze nëse vjedh. Arsye tjetër se pse nuk reagojnë fare qytetaret është edhe varshmëria që kanë,falë punës, apo frikës që kanë nga partitë në pushtet”,  thekson Saveski.

Njohësi i çështjeve politike Afrim Gashi thekson se skandalet e ndryshme që publikohen, madje edhe për vete kryeministrin, kalojnë sikur të ishin ngjarje e zakonshme dhe fare e parëndesishme pasi ështe evidente se shteti funksionon si pronë e një partie e cila në momentin kur merr pushtetin ka në dorë jo vetëm ekzekutivin por edhe drejtësinë edhe prokurorinë edhe policinë e te gjitha organet tjera.

“Ne secilin shtet normal demokratik, dorëheqja do të ishte për shkaqe morale e më pas organet e rendit natyrisht se do të shtynin këtë punë në organet e drejtësisë, por këtu te ne meqë demokracia nuk është funksionale dhe ende e pa etabluar një gjë e tille as nuk vihet ne rend të ditës e lere më të flasim për dorëheqjen e kryeministrit”, shpreh analisti Afrim Gashi, për Portalb.

Sipas Gashit ne momentin kur një skandal i tille nuk publikohet nga servisi publik dhe nga shumica e mediave nacionale, kjo gjendje shfaqet edhe me kritike, andaj edhe kjo gjë nuk reflektohet në rezultatet zgjedhore./Portalb 

     

Lajme të ngjashme

Back to top button