Patriotizmi ekonomik i shqiptarëve

Definicioni i patriotizmit: dashuria për atdheun dhe dëshira për të sakrifikuar nga vetja për të mirën e përgjithshme. Kështu përkufizohet thelbi i patriotizmit, megjithëse autorë të ndryshëm e zgjerojnë kuptimin e tij duke përfshirë edhe: dashurinë për vendin, duke u identifikuar me atdheun, dëshirën të shprehësh dhe manifestosh interesim të vecantë për mirëqenien e vendit dhe bashkëkombasve të tu duke treguar gatishmëri për të sakrifikuar dhe për të promovuar mirëqenien e vendit. Megjithëse shpeshherë patriotizmi lidhet ngushtë me konceptin e nacionalizmit, dallimi mes të dyjave është qenësor. 

Për ndryshim nga nacionalizmi, patriotizmi është qasje më pozitive kundrejt agresivitetit që në vete përmban nacionalizmi. Është devotshmëria ndaj një vendi apo mënyre jetese të përcaktuar nga një komb si më e mira për të, pa patur dëshirë apo nevojë të imponohet mbi kombet tjera. Kjo mënyrë e veçimit të këtyre dy qasjeve ndaj dashurisë për vendin është qasja të cilën e përdorin politikanët në diskurset e tyre të përditshme duke krijuar një standard të dyfishtë në stilin “ne kundër ata”, apo “ne dhe ju”. Për ta shteti është një, ndërsa patriotizmi dhe nacionalizmi veçohen në bazë të fuqisë me të cilën individi apo masa e shpreh dhe manifeston dashurinë për atdheun apo kombin dhe nivelin e identifikimit me këto koncepte. Kur këto ndjenja shprehen apo manifestohen në mënyrë paqësore duke mos dëmtuar tjetrin atëherë kemi të bëjmë me patriotizëm, ndërkaq kur dashurinë ndaj vendit e manifestojmë në mënyrë të shfrenuar duke imponuar konceptin e njërës palë ndaj tjetrës atëherë kemi të bëjmë me nacionalizëm.

Në realitetin tonë koncepti i shtetit është i ndarë nga patriotizmi. Në një shtet të vogël të ndarë mes dy kombeve dominante ku komunikimi mes të dyjave është shumë i vogël, patriotizmi merr konotacion tjetër. Paqartësinë e bënë akoma më të madhe edhe politika e këtij vendi që insinuon dhe krijon dallime në të gjitha aspektet e jetës. Politikë e cila në thelb dhe në veprim është e stereotipizuar, dhe që vazhdimisht krijon ndarje duke paragjykuar tjetrin me një formë të pakuptimshme të nacionalizmit që çon në shkatërrim të vendit.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit shqiptar në Maqedoni, kryeministri i vendit parashtron disa çështje interesante që krijuan pak debat dhe reagim publik tek ne shqiptarët. Ndër ato që më bënë përshtypje më së shumti në këtë adresim të gjatë, ai konstaton disa sende. E para është që shqiptarët në këtë vend nuk janë të diskriminuar. E dyta që duhet të jenë më të disciplinuar përsa I përket dashurisë që kanë për këtë vend. Dhe e treta, që mendoj që është më e dhimbshmja, është që shqiptarët në këtë vend nuk janë të mbrojtur nga të zgjedhurit e tyre politikë sepse tek ata mungon iniciativa për avancimin e popullit të tyre. Të them të drejtën nuk e dij në cilën duhet reaguar më fuqishëm. Por ajo që më së shumti më dëshpëroi është se duke analizuar të kaluarën e afërt, ndoshta konstatimi I tij i tretë është I drejtë. Por ta nisim me rend. 

Përsa i përket diskriminimit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e këtij vendi, mendoj që realiteti është shumë i ndryshëm nga ajo parashtroi kryeministri. Më lartë spjegova që koncepti i patriotizmit në vete mban obligimin moral të secilit prej nesh të shërbejë dhe të punojë për të mirën e të gjithëve. Nëse ndarja e pasurisë dhe e mundësive do të ishte e barabartë për të gjithë, atëherë shqiptarët do të ishin më të avancuar sepse meritat e tyre morale dhe obligative ndaj këtij shteti janë të njejtat me ato të maqedonasve dhe si të tilla ato përmbushen plotësisht. Të gjithë në këtë shtet paguajnë tatimet dhe obligimet tjera financiare që rrjedhin nga detyrimet qytetare. Koncepti që shqiptarët shprehin revoltën e tyre qytetare nëpërmjet ikjes nga këto obligime është koncept i vjetërruar dhe stereotipik. Është çështje tjetër që niveli i varfërisë dhe papunësisë është më i shprehur në popullatën shqiptare. 
Nëse shikohen vetëm numrat, nga 200 kompanitë më të suksesshme të vendit, vetëm 5% prej tyre janë me kapital shqiptar. Ndërkaq pjesëmarrja e të gjitha kompanive me kapital shqiptar në ekonominë e përgjithshme të vendit është me më pak se 20%.

Arsyeja pse shqiptarët nuk arrijnë të fuqizojnë ndikimin e tyre ekonomik në vend është më shumë administrativ dhe ideor sesa i mungesës së kapitalit. Pjesëmarrja e kompanive shqiptare në ndarjen e kollaçit të tenderave të projekteve madhore të vendit mund të quhet qesharake. Kjo tregon për një joefikasitet të partive politike shqiptare që mbajnë një pjesë të pushtetit, me resore kyçe si ajo e ekonomisë, që të ndihmojnë biznesin shqiptar për t’u zhvilluar dhe për të rritur potencialin e vet. Prandaj më vranë veshin fjalët e kryeministrit kur deklaroi se partnerët e tij shqiptarë në pushtet nuk kanë ditur të krijojnë mundësi për avancim ekonomik të shqiptarëve, duke qenë se disponojnë me resurset e nevojshme për të kontribuar në këtë çështje. Kjo është e dhimbshme dhe e patolerueshme. 

Po e potencoj edhe njëherë atë që kam shkruar më parë: It’s the economy, stupid! Retorika patriotike dhe nacionaliste e partive shqiptare është e drejtuar gabimisht. Nëse shqiptarët në këtë vend duhet të avancohen dhe të arrijnë potencialet e veta, mënyra e vetme është nëpërmjet patriotizmit ekonomik. Prandaj duhet krijuar një frymë e re e politikave patriotike që do të ishin të kapshme dhe të zhvillueshme nga aspekti ekonomik. Një frymë e re politike e cila do të vënte në thelbin e programit të saj strategjinë patriotike ekonomike, që të ndikojë nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe administrative në integrimin e plotë të shqiptarëve në ekonominë e vendit. Patriotizmi ekonomik don të thotë krijimi i vendeve të reja të punës për popullatën e varfëruar shqiptare, krijimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe avancimin e sistemit të shkollimit tek shqiptarët për të nxitur ambicjen individuale. Patriotizmi ekonomik nënkupton punën e vazhdueshme për të larguar dembelizmin nga kombi im, i lodhur nga varfëria dhe emigracioni, duke koncentruar pjesë sa më të madhe të kapitalit në shoqërinë ekonomike shqiptare. Pra krijimin e një mase kombëtare të shëndoshë e cila do të prodhojë individë të fuqishëm.

Krijimi i mundësive të reja dhe përafrimi i kapitalit shqiptar mund të jetë shpëtimi i këtij vendi. Në të njejtën kohë do të ishte edhe forma më e mirë për shqiptarët që të sigurojnë mirëqenien e kombit të vet në këtë shtet të ndarë. Është e mjerrueshme që këto sende nuk hasen as në programet elektorale të partive politike shqiptare, as edhe në strategjinë e tyre politike. Për mua kjo është e patolerueshme.

Të harrosh të planifikosh, don të thotë të planifikosh dështimin! 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button