KSHZ dhe Gjykata bëhen qorre ndaj votuesve të vdekur apo jo-ekzistent

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ) dhe Gjyqi Adminstrativ i hodhën poshtë shkresat e LSDM-së, e cila dyshonte se 20.000 të ndjerë apo persona të zhvendosur gjenden në Listën Zgjedhore, në 22 komuna në Maqedoni. LSDM, kur i dorëzuan shkresat, shprehu dyshime se bëhet fjalë për njerëz të ndjerë, persona të cilët janë shpërngulur përgjithmonë apo persona të cilët nuk jetojnë në adresat e regjistruara në Listën Zgjedhore.

Nga të dhënat deri te të cilat arriti Civil Media, shkresat janë refuzuar me arsyetim se nuk ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për ta pranuar kërkesën.

“Personat në fjalë për të cilët ekziston dyshimi se jetojnë në të njëjtën adresë, kanë paraqitur vendbanim, gjegjësisht vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë, si dhe dokumente biometrike valide, me të cilën gjë i plotësojnë kushtet e parapara me ligj, në nenin 41, alineja 4 dhe 5, për regjistrimin në Listën Zgjedhore”, thuhet në vendimin e Gjyqit Administrativ.

Opozita ka shprehur dyshime se 1.045 persona të ndjerë gjenden në listën zgjedhore, ndërsa KShZ-ja ka konstatuar se 202 prej tyre në fakt kanë vdekur, për të cilët është dërguar kërkesa për kontroll plotësues në Drejtorinë për Mbajtjen e Librave Amë.

Vazhdon të jetë e paqartë se a janë të fshirë këta persona nga Lista Zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Back to top button