Lë Drenicën për luftën në Siri

Futbollit të Kosovës në këtë edicion është duke i munguar Hysni Kabashi. Futbollisti nga fshati Polac i Komunës së Skenderajt, nuk është duke i sulmuar portat kundërshtare në futboll, por po sulmon ushtrinë drejtuar nga Bashar al-Assad në Siri. Kësisoj, ish-futbollisti i Drenicës prej muajsh ndodhet atje dhe tashmë ka ndryshuar edhe emrin në Ebu Sufjan.

Kohët e fundit nuk është parë në protokollet e ndeshjeve të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Dikush mund të mendojë se e ka lënë futbollin ose nuk po aktivizohet nga trajnerët e Drenicës. Mirëpo, ai ka një arsye shumë të fortë që e ka lënë skuadrën nga Skenderaj. Kohë më parë ka marrë rrugë për në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Siri. Fjala është për Hysni Kabashin, i cili është aktivizuar si sulmues te Drenica. Kabashi i është i bashkuar shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët po luftojnë në anën e forcave kryengritëse siriane kundër pushtetit të drejtuar nga Bashar al-Assad. Motivi kryesor është ndihma për sirianët e besimit sunit. Shkuarja në Siri po bëhet për motive fetare.

E ndërroi emrin, quhet Ebu Sufjan

Ish-sulmuesi i Drenicës, Hysni Kabashi e ka ndërruar edhe emrin. Atë tashmë e njohin si Ebu Sufjan. Ndryshe, Kabashi ose Ebu Sufjan nuk është sportisti i vetëm që ka marrë rrugë për në Siri. Kolegët e tij, Luis Boa Morte dhe Burak Karan, gjithashtu e kanë zgjedhur rrugën e futbollistit kosovar. Boa Morte ndoshta është sportisti më i njohur që ka zgjedhur të luftojë në Siri. Ai ka bërë karrierë me Përfaqësuesen e Portugalisë, teksa ka luajtur edhe në Premierligën angleze me skuadra të njohur si Arsenal, West Ham, Fulham dhe Southampton.

Kush është Hysni Kabashi?

Hysni Kabashi (23) vjen nga fshatit Polac i Komunës së Skenderajt. Në vitin 2009 nga skuadra e juniorëve u ‘gradua’ në ekipin e parë të Drenicës nga trajneri i atëhershëm Tahir Lushtaku. “Për afro tetë kilometra ka udhëtuar çdo ditë në këmbë për të ardhur në stërvitje. Mund të them se ka qenë një djalë shumë i veçantë nga të tjerët. Ka qenë shumë tip i mbyllur. Për dallim nga lojtarët e tjerë, ai kurrë nuk ka dal për të pirë kafe më askënd. Ka qenë shumë fetar”, ka zbuluar për ‘Sport Plus’, Tahir Lushtaku. Talenti për sportin më të popullarizuar në botë, nuk i ka munguar Hysniut. “Ka pasur talent. Për futbollin me sa e di unë e ka lënë edhe shkollën e mesme. Ka qenë një lojtar që ka vepruar shumë mirë me topin dhe nuk i ka munguar sensi i golit”, përfundoi Tahir Lushtaku. /SportPlus/

Lajme të ngjashme

Back to top button