Basha: Dyshja Rama-Meta po uzurpojnë institucionet e pavarura

Kreu i opozitës në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza ndaj qeverisë “Rama-Meta”, se janë duke ‘pushtuar’ institucionet e pavarura dhe po refuzojnë konsensusin me opozitën. Ai tha se, dyshja Rama-Meta po merr të drejtat e presidentit, duke vendosur për kandidaturat për kreun e ILDKP-së. Sipas tij, miratimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është instrument kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e ILDKP-së.

“Java që ka nisur dje ka axhendën më të ngjeshur të dyshes Rama-Meta për uzurpimin e institucioneve të pavarura, asgjësimin e ndarjes demokratike të pushteteve, për shkatërrimin e bashkëjetesës demokratike me opozitën, duke refuzuar konsensusin për çështje madhore të demokracisë dhe integrimit evropian të vendit. Gjatë kësaj jave axhenda Rama-Meta ka programuar dhe kalendarizuar marrjen e të drejtës së propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së nga President i Republikës.

Miratimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është instrument kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e ILDKP-së, garanton rolin e saj në luftën për transparencë dhe kundër korrupsionit qeveritar. Me marrjen e kësaj kompetence Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën pavarësinë e ILDKP-së, e fut atë në tutelën e vet dhe legalizon kapjen e paligjshme që shumica orkestroi në Kuvend para dy muajsh”, tha ai.

“Vjedhja e serverit tek Tatim Taksat, tregon revansh të shfrenuar, për dyshen. Ky revansh e tregon dhe blerja e votave në Korçë. Ky është taktikë dhe shtirje nga pala Rama-Meta. Ndaj nga një vesh i kanë hyrë dhe nga një i kanë dal propozimet e PD-së dhe ndërkombëtarëve. Kjo është java e zezë për Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Shteti ligjor po kërcënohet nga pushteti oligarkik Rama-Meta”,- bëri me dije më tej Basha.

Ky i fundit vazhdoi më tej me akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se dyshja Rama-Meta po zhbëjnë demokracinë dhe po vendosin pushtetin dhe mbi institucionet e pavarura. Ai i ka bërë thirrje që të heqin dorë nga zhbërja e shtetit dhe nga blerja e votave të lira.

“Jam sot këtu, për të informuar qytetarët për këtë alarm, për të denoncuar publikisht autorët e revanshist të pashembullt. Jam këtu për të denoncuar shkeljet e Rama-Metës. Hiqni dorë nga zhbërja e shtetit dhe votës së lirë. Zgjedhësit ju kanë votuar për të bërë realitet premtimet. PD, opozita, populli shqiptar nuk do e lejojë projektin tuaj ogurzi të oligarkisë.”- tha më tej Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button