Pritet që së shpejti zemra e Ilia Karelit të sillet në Atdhe

Ditën e sotme një prokuror shqiptar dhe një ekspert i mjekësisë ligjore kanë shkuar në Greqi për të tërhequr zemrën e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, i cili u vra nga dhuna e gardianëve.

Mësohet se të zyrtarët udhëtuan sot drejt Athinës, për të tërhequr nga spitali zemrën e Karelit. Lajmi bëhet i ditur nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjithashtu bëhet e ditur se, prokurori dhe eksperti do të shoqërohen nga oficeri i kontaktit në ambasadën shqiptare në Athinë.

Më herët Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë kërkesa për tërheqjen e zemrës së 42-vjeçarit, Ilia Kareli. Zemra e Karelit pasi të mbërrijë në Shqipëri do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së shqiptarit të torturuar dhe do t’iu shërbejë hetimeve për çështjen.

Më pas zemra do t’iu dorëzohet familjarëve të Karelit. Ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Greqi doli në përfundimin se vdekja e Karelit u shkaktua nga goditjet në kraharor dhe ai ka vuajtur edhe nga një sëmundje në zemër, e cila ka qenë edhe shkak i vdekjes. Ilia Kareli ndërroi jetë në burgun e Nigritës si pasojë e dhunës së ushtruar nga gardianët, mesa duket në shenjë hakmarrje ndaj kolegut të tyre, Jorgos Cironit, të cilin shqiptari e vrau në burgun e Malandrinos./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button