Pour l’amour de l’amour

…komunikimin tim me të edhe në fillet e bukura të njohjes edhe mandej kur ai u distancua (në fakt, asnjëherë s’ka bërë, si me thënë, veprim tipik mashkullor të dashurisë) e kam ruajtur si kujtim të shtrenjtë dhe maksimalisht diskret. Komunikimi në cilindo format qoftë mbetet vetëm ndërmjet nesh qoftë edhe kur kjo “ne” pushon së ekzistuari.
Parimisht mendoj se aty ku flitet shumë për dashurinë apo relacionet intime, ato më së tepërmi mungojnë, muhabeti është mekanizëm kompensimi. 

Dhe mjaft jo-fer ndaj njeriut që e duam. 
Si e vogël ndodhte ndonjëherë që gratë, posaçërisht nuset e reja ashtu në vlugun e bisedës ta minimizojnë prezencën time dhe të flasin për tema shtrati – i shikoja sikur të ishin budallaqe, kurse burrat e tyre si personazhe të muhabeteve të neveritshme – më dukeshin të gjorë me këto bashkëshorte të lajthitura. Edhe sot, kur është fjala për martesat te ne burrat shpesh më duken të gjorë kurse gratë si gjysëmhisterike apo me sherre lodhëse sa për veten aq për tjerët.
T’i kthehem më mirë Atij që ma do zemra por rrallë, rrallë mund ta takoj.   
A s’jam ngapak gjynah? 🙂
Jo, se gjynah janë vetëm ata që çdo natë bien dhe zgjohen pranë dikujt që nuk e duan.
Gjynah, për mendimin tim, janë ata që ëndërrimet i konsiderojnë për humbje kohe apo punë fëmijësh, ata që s’mund të bëjnë as edhe një plan të vogël dashurie, me një fjalë mos u bëfshim të plakura para kohe se njeriu plaket kur pushon së dëshiruari. 

Mirë jemi, më mirë kështu, mikja ime.
Tashmë sigurisht flen, unë po lexoj edhe pak se ky shkëmbim energjish plotësisht ma nxorri gjumin, anise mbrëmë s’kam fjetur as edhe një minutë, ashtu më vinte të lexoj, shkruaj ngapak dhe pi ndonjë cigare në ballkon.
Sot e teprova me duhanin, vërtet teprova.
POR, nga java e ardhshme kismet do filloj ta agjëroj borxhin e mbetur nga Ramazani i kaluar, kështu do detoksifikohem.

Hiç, hiç, s’më bie ndërmend asnjë emër që mund të lidhet me ty në këtë temën e sontme të sevdasë.
Ablla unë në Mensa s’jam.
Edhe nga natyra „gungsh“ jam për t’i bashkëlidhur faktet e kësaj natyre, e para vonë i kuptoj të rejat dhe e dyta edhe kur i di nuk mund t’i sjell në një tërësi, mungesë e plotë talenti. 
Me cigaren e fundit sonte do kujtohem edhe pak, me efekte sigurisht  minore të zbulimit të misterit.

Mua më vjen turp të të rrëfehem dhe mos prit t’më kalojë kjo gjendje. 
Besom që ashtu ndihem sa herë që rizbuloj tjetrin në veten time (që besoj se është një nga definimet e dashurisë).
Ai është tip ideal për mua, prindërit e mi do ishin te lumturuar poashtu.
Është një Ama, bile më shumë se sa një. Ca male të pakapërcyeshme që edhe po t’u afrohesh të merren mendtë. Thonë se kur ngjitesh majave të malit harrohen sfidat rrugës, respektivisht ia vlen çdo mundim për atë momentin kur shikon rrotull si me fletë, si hazër për të fluturuar.
Ama-ja më e madhe është se lumturia nuk ndërtohet mbi vuajtjet e tjerëve, bile edhe nëse duket se mundet apo se ia vlen, ajo farë lumturie zgjat shkurt dhe mirë që është ashtu. 

Në një nga letrat e kaluara më ke shkruar dhe tash e rilexova se njeriu mund të dashurohet, nëse vendos të dashurohet. Nëse zgjedhja është korrekte, atëherë s’ka se pse mos lindin ndjenjat. Bile të dyanshme. Se çfare rruge do të marrë hovi, kjo është çështje tjetër. Supozimet për këtë çështje tjetër, që i takon së ardhmes, nuk guxojnë të na frenojnë para kohe.
Krejt kjo ka logjikë, ama në rastin tim e dashur logjika me zemrën rrallë bashkëjetojnë.
Kështu ka qenë, por ndoshta edhe unë mbushem mend një ditë, një ditë të largët. 
Në rastin tim vlejnë më shumë këto Thëniet e ditës që Elida Z. i zgjedh aq bukur, bile ndonjëherë pikërisht sipas disponimit tim ditor, interesant. 
P.sh Mos lejo që truri të vendosë pikë aty ku zemra është e sigurtë që duhet vendosur presje. Ose: Te gratë çdo gjë është zemër, edhe koka. 
A e din edhe sa gjatë mund të të shkruaj mikja ime, për dashurinë dhe për djalin që më ngjan me kryevepër! 
Për Atë që dëshmon se njeriu mund të jetë njëherit i mençur, i mirë dhe i bukur lirisht mund të të shkruaj deri në mëngjes, kur myezini i supertalentuar i xhamisë nga lagja e Dizhonit lajmëron ditën e re, kur i vjen koha një gjysëmkafjalli para cigares së parë në ballkon, qielli posa nis të skuqet vende-vende, qetësi gati e plotë, busat e parë nisin të lëvizin…mëngjesi që shpesh nis me mendimin: vallë flen apo zgjuar është edhe ai, si pahiri?
Ika tash ablla.
Pasi, siq u tha, s’është isharet i mirë kur flitet shumë për dashurinë… 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button