Dibër, krerët e bashkësive fetare urojnë për më shumë dashuri

“Festat nder fetare, dashuria, mirëqenia, lëshimi i duarve mes njëri tjetrit janë shembull i njerëzve që jetojnë në bashkëjetesë sepse vetëm kështu na ka krijuar Perëndia. Dibra le të jetë shembull i tolerancës ndër fetare dhe ky shembull le t’i prin edhe shtetit dhe vendeve tjera”. Ky ishte mesazhi i përbashkët i myftiut të komunës së Dibrës, Ramzan Hasa dhe i pari i kishës ortodokse, Bllagoja Spirovski, në takimin e tyre për nder të festës së Pashkëve, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.

“Festat bashkojnë njerëzit kur të tjerët shpërndajnë urrejtje dhe përçarje , ndaj ne si struktura fetare duam që të eliminojmë këtë ndarje të popullit. Ne, në qytetin tonë, në Dibër,  do të vazhdojmë të mbajmë këtë traditë dhe respekt duke dëshmuar kënaqësi, fat, gëzim dhe begati në jetë, duke u uruar festën e Pashkëve të gjithë konfesionit ortodoks”, theksoi myftiu i Dibrës, Ramazan Hasa.

“Ne jemi dëshmitarë se si duhet të jetohet, të respektojmë njëri tjetrin dhe të duhemi mes veti. Për ne dibranët të gjitha festat janë të përbashkëta, Pashkët, Ramazani dhe Bajrami.

Kjo ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet në të ardhmen” theksoi i pari kishës Bllagoja Spirovski.
Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata duke uruar festën e Pashkëve me këtë rast nënvizoi se “Komuna e Dibrës është e pandarë  për  të gjithë, njerëzit janë të njëjtë pa dallim  feje dhe nacionaliteti. Ne duhet të jetojmë në bashkëjetesë, ndaj Dibra me këtë rast e tregon se është “Qyteti i trurit”. Shembulli jonë le të jetë  shembull për  përfaqësuesit e tjerë fetarë që jetojnë nëpër vende të tjera “,theksoi Lata.

Lajme të ngjashme

Back to top button