Takimi Stoltenberg-Merkel, në fokus lufta kundër terrorizmit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO nuk do të marrë pjesë në konfliktin e armatosur në Siri dhe Irak, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, në një takim në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, me kancelaren gjermane Angela Merkel ka diskutuar mbi Samitin e presidentëve të qeverive dhe shteteve anëtare të NATO-s i cili do të mbahet më 25 maj në Bruksel.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit Stoltenberg ka theksur se presin nga vendet anëtare që të mos shkurtojnë buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe të rrisin në 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto shpenzimet e mbrojtjes ashtu siç kanë premtuar në vitin 2014.

Duke vënë në dukje se kjo është e pashmangshme për sigurinë e Evropës në një botë e cila sa vjen e bëhet më e rrezikshme, Stoltenberg ka theksuar se në samit do të diskutojnë kryesisht se si mund të luajnë një rol më aktiv në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Pas një pyetjeje të një gazetari nëse do të marrë pjesë zyrtarisht NATO në koalicionin kundër DEASH-it, Stoltenberg tha se shpreson që vendet anëtare të japin një vendim deri më 25 maj në lidhje me këtë çështje.

Ai potencoi se edhe nëse merret një vendim për pjesëmarrje në koalicion ato nuk do të heqin dorë nga detyra themelore dhe se nuk do të përfshihen në konfliktet e armatosura.

“Nuk do të përfshihemi në konfliktet e armatosura në Siri dhe Irak”, ka deklaruar Stoltenberg, duke shtuar se ata ofrojnë mbështetje me avionët e paralajmërimit të shpejtë AWACS dhe se do të diskutojnë me çdo vend anëtar se çfarë mund të bëhet, por se janë kundër operacioneve me gamë të gjerë.

Ndërsa ndaj pyetjes së një gazetari tjetër për mendimet e Gjermanisë në lidhje me rritjen e numrit të ushtarëve në Afganistan, Stoltenberg, është përgjigjur se për këtë çështje ende nuk ka ardhur ndonjë kërkesë dhe në rast se i përcillet një kërkesë e tillë këtë do ta kërkojnë jo vetëm nga Gjermania por nga të gjitha vendet anëtare.

Gjithashtu edhe kancelarja Merkel në lidhje me këtë pyetje ka theksuar se qeveria gjermane ka shpenzuar shumë përpjekje për vazhdimin e misionit në Afganistan dhe se dëshiron të ndërmarrë rolin kryesues në veri të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button