Banorët e Likovës kërkojnë llogari për projektet e parealizuara

Banorët e Likovës shprehen të revoltuar nga platformat e pa realizuara të partive politike në pushtet dhe thonë se edhe ajo që është realizuar nuk është meritë e tyre.

Sipas të dhënave të banorëve të kësaj ana sa i përket projekteve të premtuara nga BDI gjatë vitit 2011, pothuajse asgjë nuk është realizuar. Ato që nuk janë realizuar janë: Ndërtimi i kanalizimit në Likovë për të cilin janë ndarë 1,790,010 denarë, krijimi i parakushteve për zhvillim 14,603,986 denarë, projektimi i ujësjellësit rajonal për komunën e Likovës dhe Kumanovës 4,944,694, përmirësimi i sistemit të ujësjellësit, përkrahja e hapjes së një qendre për grumbullimin e produkteve bujqësore, hapja e qendrës për kujdesie të fëmijëve.

Kurse funksionimi efikas i shtëpisë së re të shëndetit në Likovë, është realizuar pjesërisht si dhe vazhdimi i ndërtimit të gjimnazit në Likovë “Ismet Jashari” është realizuar po jo me fonde nga Maqedonia, por me IPA fondet dhe programe nga Bashkimi Evropian.

“Asgjë nuk është bërë me paratë e shtetit, edhe ato projekte qe janë realizuar janë bërë me programe dhe fonde të tjera. Mos të lavdërohen se kanë bërë ndonjë gjë. I  cilësojmë të pa baza realizimin e projekteve që thuhet se janë realizuar ose do të realizohen si në aspektin infrastruktural, ekonomik, social e arsimor”, tha banori Etem Xheladini i cili njëherit kryen edhe funksionin e Kryetarit të LASH-it të Kumanovës.

Ai shtoi se në  deklaratat e kampanjave zgjedhore  përmenden se u nënshkruan kontrata me vlera të majme për projektet që qytetarët shqiptar as që i kanë shijuar në praktikë.
“Nëse është realizuar ndonjë projekt me fondet, nga IPA fondet, apo fonde tjera nga Unioni Evropian, ata janë meritë më shumë e kryetarit të komunës. Po nëse marrim parasysh buxhetin nga qeveria e RM, ai nuk ishte i mjaftueshëm as për rrogat e të punësuarve në arsim dhe institucionet tjera”, theksoi Xheladini.

“Nuk u besojmë më gënjeshtrave parazgjedhore. Me shumë kemi investuar ne si banorë të kësaj ane sesa qeveria. Nuk është e drejtë kështu sepse edhe ne paguajmë tatim dhe kontribuojmë në buxhetin shtetëror”, tha Ismet S., nga Likova.
Ndërkaq këshilltari nga radhët e RDK-së, në komunën e Likovës, Gazmend Saiti kundërshton raportimin e BDI-së, lidhur me projektet e realizuara.
“Pllakat prej gurit që janë vendosur, nuk i ka bë komuna, por janë investim nga Turqia, po ashtu filtri për ujësjellësin është filluar të punohet dhe më pas Qeveria ka tërhequr mjetet dhe tani punët janë ndalur dhe nuk është përfunduar. Të gjitha projektet që premtohen këtu tek ne realizohen vetëm përfaqësisht. Për shembull rrugët nuk bëhen të kualitetit të duhur dhe shumë shpejt dëmtohen dhe shkaktohen gropa”, tha Saiti.

Ai po ashtu shtoi se BDI nuk duhet të shet mend me platformë, por duhet ta realizojë atë.
“Planprogrami dhe platforma, nuk janë shmek, ato duhet të realizohen. Tani janë kujtuar të bëjnë kështu, për kanalizimin komuna ka siguruar vetëm gypat kurse për punimet si dhe lidhjet deri në shtëpitë private duhet t’i bëjnë vetë banorët. Sa mund të jetë ky projekt tani i realizuar?”, shtoi Saiti.
Banorët e kësaj ane janë të vetëdijshëm se në kampanja parazgjedhore lejohet të thuhet gjithçka, por apelojnë deri tek politikbërsit shqiptar që të kenë kujdes se çka premtojnë, pasi pas 27 Prill, duhet të takohen me qytetarët. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button