Macron president i ri i Francës, vjen urimi nga Le Pen

Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale dhe ja ka uruar fitoren kundërkandidatit të saj, Emmanuel Macron, njofton REL.

Në paraqitjen para mbështetësve të saj, Le Pen ka thënë se francezët kanë zgjedhur “vazhdimësinë”.

Francezët sot zgjodhën presdientin e ri dhe me votën e tyre kanë zgjedhur vazhdimësinë.Unë i uroj fitoren dhe sukses, Emmanuel Macron. Unë i falënderoj të gjithë ata që kanë votuar për mua dhe që kanë qëndruar pranë meje gjatë fushatës”, është shprehur Le Pen, duke thënë se do ta vazhdojë betejën politike nga opozita.

Votuesit në Francë sot kanë pasur mundësi të zgjedhin në mes të kandidatit të qendrës Emmanuel Macron dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Projeksionet, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, kanë nxjerrë fitues, Emmanuel Macron.

Projeksioni i realizuar nga Kantar Public One Point-TF1-RTL, thotë se Macron ka fituar 65 për qind të votave ndërkaq Le Pen ka fituar 34.5 për qind të votave, raporton BBC.

Sipas projeksionit paraprak, të bazuar në numrin e pjesshëm të votave, tregon se Macron ka fituar zgjedhjet me 66 për qind të votave të fituar, ka thënë projeksioni i Harris Interactive, raporton Reuters.

Raundi i balotazhit vjen pas një fushate negative dhe pas sulmit kibernetik më 5 maj, ndaj fushatës së Macron.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, deri në orën 17:00, kanë votuar 65.3 për qind, që është shifër më e vogël, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, ku 71.9 për qind e votuesve i ishin drejtuar kutive të votimit.

Macron, kandidat i qendrës, doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ai në këto zgjedhje ka garuar me një platformë pro-evropiane, ndërkaq, nacionalistja anti-migrantëve, Marine Le Pen dëshiron që Franca të dalë nga Bashkimi Evropian dhe të braktisë monedhën euro.

Macron ka votuar në qytetin Le Tourquet në veri të Francës, ku u shoqërua nga gruaja e tij, Brigitte.

Le Pen, e cila dëshiron që të ndjekë hapat e Britanisë së Madhe për të dalë nga blloku, ka votuar në Henin-Beaumont, një qytet i vogël verior që kontrollohet nga partia që ajo udhëheq, Fronti Kombëtar.

Në këto zgjedhje, kanë pasur të drejtë vote 48 milionë banorë të Francës. Ata kanë mundur të votojnë në 66 mijë qendra të votimit.

Rreth 50 mijë zyrtarë policorë janë përkujdesur për sigurinë e qytetarëve të Francës, në ditën e zgjedhjeve.

Francezët votojnë në zgjedhje presidenciale

Votuesit francezë sot do të zgjedhin presidentin e vendit, në zgjedhjet që po shihen si përcaktuese për të ardhmen e vendit.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, francezët do të zgjedhin ndërmjet kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron, dhe kandidates të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Në disa qytete të mëdha, vendvotimet do të mbesin të hapura deri në orën 20:00.

Macron ka votuar së bashku me gruan e tij, Brigitte Macron në qytetin Tourquet në veri të Francës.

Ndërkaq, Le Pen ka votuar në Henin-Beaumont, një qytet i vogël verior.

Ajo ka votuar pa asnjë incident, pasi aktivistet feminist ishin arrestuar pak orë më parë, për shkak se kishin vendosur një pankartë anti-Le Pen në një Kishë.

Ministria e Brendshme franceze njofton se ka një rënie të numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Deri në orën 17:00, sipas të dhënave të Ministrisë, 65.3 për qind e votuesve kanë dalë në zgjedhje. Ndërkaq, në raundin e parë të zgjedhjeve, ky numër ishte 71.9 për qind.

Në oborrin e Muzeut të Luvrit në Paris, ku Macron pritet të flas më vonë, zona është evakuuar përkohësisht, pasi është gjetur një valixhe e dyshimtë.

Por policia franceze pasi ka kontrolluar zonën ka thënë se situata i është rikthyer normalitetit.

Rreth 50 mijë forca janë angazhuar gjatë zgjedhjeve për sigurinë e qytetarëve në Francë.

Macron, 39-vjeçar, ka bërë fushatë me një platformë pro-evropiane, ndërkaq Le Pen, 48-vjeçare,ka thënë se dëshiron që Franca të largohet nga BE-ja dhe të braktisë eurozonën.

Fushata zgjedhore ishte shumë e polarizuar, në të cilën Le Pen, e ka përshkruar kundërshtarin e saj, Macron si një elitist të butë ndaj fundamentalizmit islamik dhe kërcënimeve të tjera potenciale, ndaj vizionit të saj për shtetin francez.

“Strategjia e vetme e Le Pen që ta dëmtojë Macronin, ishte që ta përshkruante atë si një kandidat globalist, politikat e të cilit janë të rrezikshme për Francën”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Martin Michelot, zëvendësdrejtor i Institutit për politika evropiane, EUROPEUM.

Në sondazhet e fundit të opinionit, Macron ka qenë në epërsi, që prej përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill.

Përveç dallimeve në politikat e brendshme, dy kandidatët për president të Francës, kanë shumë dallime edhe në politikën e jashtme.

Le Pen do të dëshironte bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e mesme dhe gjithashtu, do të rihapte negociatat politike me Iranin, të cilat për shembull, janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Shteteve të Bashkuara… dhe mund të çojnë në një përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump”, ka thënë Michelot.

Le Pen, gjithashtu, dëshiron që vendi ta braktisë NATO-n.

Në anën tjetër, politika e jashtme e Macronit, do të ishte vazhdimësi e kursit të presidentit të tanishëm, Francois Hollande, një socialist, në qeverinë e të cilit, Macron ka shërbyer si ministër i Ekonomisë.

“Macron është një politikan që kurrë në karrierën e tij nuk është marrë me politikën e jashtme… kështu që mund të prisni shumë parashikueshmëri në ekipin e tij”, ka thënë Michelot, duke shtuar një listë të pikave kryesore të politikës së Macronit, duke vënë theksin te “pozicioni i njëjtë i fortë karshi Rusisë, rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut, kundërshtimin e aneksimit të Krimesë” dhe angazhimin e fortë për NATO-n”.

Që prej raundit të parë të zgjedhjeve – ku Macron fitoi 24 për qind të votave ndërkaq Le Pen 21.3 për qind – Macron, lider i partisë En Marche!, ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore përmes sulmeve kibernetike dhe ka refuzuar që të akreditojë mediat ruse, RT dhe Sputnik, duke i akuzuar se po transmetojnë lajme të rrejeshme.

Moska ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale, njëjtë sikur ka hedhur poshtë akuza të ngjajshme të bëra nga Berlini dhe Uashingtoni.

Më 5 maj, fushata e Macronit ka thënë se ka qenë cak i një “sulmi masiv” kibernetik, ku janë vjedhur me më pas publikuar dokumente të fushatës. Nuk ishte e qartë menjëherë se kush qëndronte prapa këtij sulmi.

Partia e Macronit, El Marche, e ka krahasuar sulmin kibernetik ndaj tyre, me atë ndaj Partisë Demokrate në SHBA, ku agjencitë e inteligjencës amerikane kanë akuzuar hakerët rusë.

Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar, ka marrë një borxh multimilionësh nga një bankë ruse më 2014 dhe ka mbrojtur aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Ajo gjatë fushatës zgjedhore është takuar në Moskë, me presidentin rus, Vladimir Putin.

Macron është mbështetur nga shumica e politikanëve në Francë, nga shumë liderë evropianë si dhe nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Edhe pse ka thënë se nuk e mbështetë Le Penin, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë për Le Pen se po dëshiron të “forcojë kufinjtë dhe ajo është më e fuqishmja për atë që po ndodhë në Francë”.

Presidenti francez ka një mandat pesëvjeçar. Në zgjedhjet e 7 majit, 48 milionë qytetarë të Francës kanë të drejtë vote. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, ndërsa 77.8 për qind e votuesve të përgjithshëm kanë votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button