A është i mundur zëvendësimi i Gruevskit?

“VMRO e tradhtoi popullin”, “Jepni dorëheqje menjëherë”, “Ju politikanët jeni fajtorë për këtë kërdi”, “Erdhi koha VMRO-DPMNE të pastrohet nga rriqrat, të mbahet kongres dhe të ndryshohet e gjithë udhëheqësia”, janë vetëm një pjesë nga komentimet në rrjetet sociale, drejtuar krerëve të partisë. Pas kësaj, u paraqitën informata se është mundur të ndodhë ndryshimi i postit  – lideri i  VMRO-DPMNE-së. Nga partia thonë se nuk mendojnë për ndryshim të Gruevskit dhe se ai e ka mbështetjen e plotë  nga komiteti qendror dhe ekzekutiv, njofton TV21.

“VMRO-DPMNE-ja si parti politike me anëtarësinë e sajë, kryetarë, komiteti ekzekutiv dhe komiteti i komunave, treguan një unitet të fortë dhe kjo është prioritet  që do të mbajmë në këtë periudhë edhe në vitet që vijnë”, u shpreh Antonijo Miloshovski, nga VMRO-DPMNE.

Largimi i Gruevskit do të sjell lindjen e Maqedonisë së re, kthimin e demokracisë si dhe sundimin e drejtësisë. Kështu Jove Kekenovski, një nga promotorët më të zëshëm të ndryshimeve në VMRO-DPMNE i komenton paralajmërimet për ndryshimin e liderit të kësaj partie.

“Në vend që të ëndërrojnë ose të mendojnë të jenë lider, duhet të mendojnë se si do ta drejtojnë mbrojtjen e tyre para gjykatës, në të cilën jam i sigurt që e kanë patjetër të dalin dhe të japin përgjegjësi para fytyrës së drejtësisë”, tha Jove Kekenovski, forum i patriotëve mendjelirë.

Kekenovski pohon se një pjesë e madhe e anëtarëve të VMRO-DPMNE-së janë të zhgënjyer nga veprimet e Nikolla Gruevskit dhe udhëheqësisë së partisë, e për këtë i përmend edhe komentimet e fundit në rrjetet sociale në të cilët shihet pakënaqësia e simpatizuesve të kësaj partie.

“Çdoherë e më shumë do të shohin fytyrën e Gruevskit dhe të udhëheqësisë, do të vërtetohen se ajo që po flasim, që janë manipulatorë, patriotë të rrejshëm, që kanë marrë pjesë në shumë vepra të këqija që i janë bërë këtij shteti, të cilat do të dalin në pah”, shtoi Kekenovski.

Sipas informatave si emra më të përmendura të cilët eventualisht do të zëvendësonin Gruevskin, janë Nikolla Poposki, Nikolla Todorov, Vllatko Gjorçev dhe Hristijan Mickovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button