Ndërroi jetë Johanna Neumann, e mbijetuara e Holokaustit falë shqiptarëve

Katër ditë më parë ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare Johanna Neumann, gruaja e cila ka shpëtuar nga holokausti, falë mbrojtjes, strehimit dhe mikpritjes që ka përjetuar nga shqiptarët. Ajo njihet edhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në njohjen e kontributit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmeton albinfo.ch

Zonja Neumann ishte e rrethuar nga i shoqi, David, fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj. Siç thuhet në një komunikatë të Muzeut të Holokaustit në Uashington, ku punonte zonja Neumann, jeta e saj e jashtëzakonshme ishte një testament në vete mbi fitoren e të mirës mbi të keqen dhe i asaj se ajo ka prekur me mijëra njerëz duke rrëfyer historinë e jetës së saj ka inspiruar të tjerët për një të ardhme më të mirë, shkruan ocnal.com

Johanna ka shkuar në Shqipëri me familjen e saj në vitin 1939 ku ka mbijetuar holokaustin nazist duke u strehuar nga disa familje, në mesin e të cilave edhe nga familja Pilku.

“Familja Pilku ka qenë plotësisht e ekspozuar për hir tonin. Gjermanët mund të zbulonin se ne ishim hebrenj dhe ata mund të vuanin nga kjo.

Nuk mund të gjenden fjalë për të vlerësuar këta njerëz që shpëtuan hebrenjtë me çdo kusht, përfshirë këtu edhe disa njerëz nga e ashtuquajtura “qeveri kukull”, si Mustafa Kruja i cili ka qenë në dije për këtë situatë. E gjithë kjo është përcaktuar nga Kanuni dhe Besa. Njerëzit kanë dhënë fjalën dhe fjala e dhënë nuk kthehet përmbys. Ata i thonë vetes: “Nëse unë të them ty se do të të mbroj dhe pastaj nuk e bëj këtë, unë do të turpërohem para vetes, para familjes dhe para gjithë fshatit”, pati thënë ajo në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në vitin 2012. Në një ceremoni në Uashington në të cilën kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha e pati nderuar atë, ajo kishte shprehur mirënjohjen e saj për Shqipërinë.

“Sa më shumë që kam mësuar dhe lexuar mbi krimet që kanë ndodhur, aq më shumë ndjej detyrim t`i vendos shqiptarët në piedestal sepse ajo që kanë bërë ata, ka qenë e jashtëzakonshme. Ata jetonin me një moral të lartë. Ata i kanë treguar botës se kur njerëzit janë në nevojë, ata duhet ndihmuar. Është me rëndësi çfarë bën çdonjëri. Secili individ që ka kurajë të bëjë diçka për të ndihmuar qenie tjera njerëzore, jep një kontribut të madh”.

Në vitin 2014 Neumann ishte dekoruar nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Johanna Neumann është lindur në një familje tregtare në Hamburg, më 2 dhjetor 1930. Familja e saj kishte provuar disa herë të merrte viza për të shkuar në SHBA, por kishte dështuar. Pastaj ata shkuan në Shqipëri në vitin 1939 ku qëndruan gjithë kohën deri sa u çliruan nga aleatët në vitin 1945. Më tutje ata shkuan në Itali prej nga në vitin 1946 Johanna shkoi në SHBA me të ëmën. Në vitin 1947 atyre u bashkohet edhe babai. Zonja Neumann ka jetuar në Silver Spring, në afërsi të Uashingtonit.

Me rastin e organizimit të serisë së ekspozitave në Zvicër mbi Besën dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri , albinfo.ch pati realizuar një bisedë me zonjën Neumann. Ajo kishte shkëputur kujtime nga jeta e saj në Shqipëri gjatë viteve të luftës, duke u shprehur me mirënjohje të pafund për atë që kanë bërë shqiptarët asokohe.

“Po, shqiptarët kanë shpëtuar moralin e botës, e them sërish”, ka përsëritur Neumann atë që kishte thënë nga tribuna para publikut. “E dini, në shumë vende të botës ka pasur individë që kanë shpëtuar hebrenj, kjo mund të shihet në listat që mban Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem”. Por, dallimi në rastin e Shqipërisë është se edhe qeveria shqiptare e atëhershme ka punuar bashkë me popullatën për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët. Kështu, personat dhe familjet nuk është dashur të kishin frikë nga qeveria, pasi që ajo nuk i denonconte te nazistët”, ka thënë ajo për albinfo.ch. Në këtë vazhdë Neumann tregon raste e raste të panumërta kur zyrtarët shqiptarë, përmes improvizimeve të ndryshme kishin bërë fshehjen dhe shpëtimin e refugjatëve hebrenj.

Ajo ka qëndruar me prindërit në Shqipëri nga marsi i vitit 1939 deri në shtatorin e vitit 1945, kur bashkë me familjen ka emigruar në Itali e pastaj në SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button