Qeveria dhe presidenti Thaçi e përshëndetën lirimin e Haradinajt, ngadhënjeu e drejta mbi manipulimet serbe

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përshëndetur sot vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze për lirimin e ish-kryeministrit dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Duke vlerësuar se fletë-arrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës franceze është konfirmim se e drejta ishte në anën e Haradinajt dhe se fletë-arrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta.

“Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, theksohet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, si lajm të mirë për Kosovën e ka cilësuar lirimin e Haradinajt presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Me një reagim të menjëhershëm në Facebook, Thaçi ka shkruar se vërtetuan shpifjet e shërbimeve serbe kundër UÇK-së.

“Vendimi i Gjykatës së Kolmar, që Haradinaj të kthehet në Kosovë është lajm i mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, ka shkruar Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button