Dhurimi i organeve, temë tabu në Maqedoni, dëshirë ka por jo procedurë adekuate

Secili qytetar i Maqedonisë që dëshiron t’i dhurojë organet e tij pas vdekjes do të ketë mundësinë të nënshkruajë një formular te mjeku amë, kurse procedurën për transplantim të organeve e udhëheq koordinatori nacional, i cili do të jetë përgjegjës që cili nga pacientët të fitojë organe. Kështu është paraparë në versionin e parë të ligjit të ri të transplantimit, që e ka përpunuar Fonacioni nacional për transplantim pasi që Maqedonia është vendi i vetëm në rajon ku nuk funksionon transplantimi nga kufoma, njofton Portalb.mk. Me këtë procedurë, propozuesit e ligjit i cili ende nuk është në rend dite në Parlamentin e Maqedonisë, do të shpëtoheshin jetë të njerëzve.

Mjeku Sedat Lumani thotë për Portalb.mk se kjo dukuri nuk është e shpeshtë në Maqedoni dhe se nuk ka rastisur ndonjë rast për ndonjë që ka dhuruar organe.

“Kjo dukuri nuk është e shpeshtë në Maqedoni madje qytetarët as nuk kanë njohuri se si shkon kjo procedurë. Unë deri më tani nuk kam pasur ndonjë rast të ndonjë pacienti që ka dashur të jetë dhurues organesh pas vdekjes”, tha për Portalb, Lumani.

Nga ana tjetër, qytetarët janë të gatshëm të bëjnë dhurimin e organeve, por mungon informimi adekuat. Portalb.mk realizoi një anketë me disa qytetarë të cilët të gjithë pohuan se do t’i dhuronin organet e tyre pas vdekjes me qëllim që të shpejtojnë jetë.

“Unë jam pro dhurimit të organeve pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për person të afërt apo ndonjë të panjohur. Nëse jeta e dikujt varet nga organet e mia pas vdekjes pse mos të ndihmohet. Pas vdekjes organet nuk na duhen”, tha Kristjan Jakimoski, qytetar.

“E gjallë do të dhuroja organe për ndonjë familjar që i duhet patjetër për të jetuar, kurse pas vdekje do i jepja secilit që ka nevojë pasi që nuk do më duhen më. Prindërit nuk besoj që do pranonin atë fakt mirëpo unë me gjithë dëshirë do nënshkruaj formularë apo çfarë duhet që të ndihmoj persona të tjerë”, tha Elena Krçeva, banore.

“Nuk kemi ndonjë informacion se çfarë procedura duhet të ndiqet për tu bërë donator organesh pas vdekjes por nëse ekziston një e tillë, unë do e firmosja”, tha Blerim Tahiri, banor.

“Duhet të jepen më shumë informacione sa i përket kësaj çështjeje, sepse është shumë humane një gjë e tillë dhe do të ndihmonte shumë persona, por te ne mundon informacioni dhe promovimi i një projekti të tillë që do të thoshte shumë për pacientë të rrezikuar të cilët mund të jetojnë me organet e ndonjë personi i cili më ka ndërruar jetë”, tha Urim Sadiku, banor.

Portalb.mk gjithashtu kërkoi nga Enti për Statistika se a ka raste dhe sa është numri i dhuruesve të organeve në Maqedoni, por nga atje morëm përgjigje që nuk mbajnë statistika të tilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button