Së paku katër persona e humbën jetën gjatë sulmeve raketore të SHBA-së në Siri

Së paku katër persona e humbën jetën, prej të cilëve një oficer i rangut të lartë, në sulmin ajror të SHBA-së ndaj bazës së Forcave ajrore ushtarake siriane afër Homsit, ndërsa baza është shkatërruar tërësisht, kumtoi Qendra siriane për monitorim të të drejtave të njeriut.

Presidenti amerikan Donald Tramp u bëri thirrje “të gjitha shteteve të civilizuara” t’i bashkëngjiten SHBA-së që t’u jepet fund gjakderdhjeve në Siri.

Tramp dha deklaratë të shkurtë pasi prej dy anijeve ushtarake amerikane në Detin Mesdhe u gjuajtën 59 raketa ndaj bazës siriane të FUA.

Sipas Trampit, sulmi ndaj bazës, prej nga më 4 prill forcat ajrore siriane kanë kryer sulm kimik ndaj civilëve në provincën Idlib është “jashtëzakonisht i rëndësishëm për interesat kombëtare të SHBA-së”.

Ai shtoi se regjimi sirian posedon armë të ndaluara kimike dhe se SHBA-ja duhet ta pengojë përhapjen e tyre.

Pentagoni kumtoi sot se Rusia ka qenë paraprakisht e njoftuar për sulmet ajrore ndaj bazës së Forcave ushtarake ajrore siriane afër Homsit.

Sipas tyre, sulmi është kryer për shkak të sulmit vdekjeprurës kimik, të kryer të martën ndaj civilëve në krahinën Idlib. Paraprakisht mediumet amerikane kumtuan se SHBA-ja ka njoftuar një numër të madh shtetesh për operacionin, por nes tyre nuk ka qenë Rusia.

Pentagoni kumtoi se 59 raketa Tomahavk janë gjuajtur mbrëmë nga dy anije ushtarake të SHBA-së ndaj aeroportit ushtarakl sirian dhe caqeve të tjera.

“Ato raketa ishin kahëzuar drejt aeroplanëve, zonave me depo logjistike dhe të naftës, bunkerë për municion, sisteme për MAR dhe radarë”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Dejvis.

Kryesuesi me Komitetin për punë ndërkombëtare të Parlamentit rus, Konstantin Kosaçev, ndërkohë, deklaroi se koalicioni i Rusisë me SHBA-në rreth çështjes për krizën siriane është sjellur në pikëpyetje pasi që Uashingtoni kreu sulme raketore ndaj bazës ajrore Al Sharjat.

Kosaçev vlerësoi se sulmet janë kryer me qëllim “me ndihmën e barutit në mënyrë që të vuloset aktvendimi vendimtar lidhur me përgjegjësinë e Asadit për sulmin kimik në Idlib”.

Paraprakisht, zëvendës-ambasadori rus në KB, Vlladimir Safronkov paralajmëroi se do të ketë “pasoja negative” nëse SHBA-ja vendosë për sulme ajrore ndaj Sirisë për shkak të sulmit vdekjeprurës kimik.

“Nëse ka aksion ushtarak, ai do të bie në shpatulla të atyre të cilët inicojnë aksione të tilla”, deklaroi ai.

Opozita siriane vlerëson se sulmet raketore të SHBA-së ndaj bazës së Forcave ushtarake ajrore të Sirisë janë reagim i rëndësishëm, që dërgon porosi deri te Damasku se nuk mund të veprojë pa ndëshkuar. Këtë për DPA-në e deklaroi një aktivist i opozitës.

“Ky është reagim shumë i rëndësishëm amerikan dhe vlerësojmë se ky do të jetë fillim me të cilin do t’i thuhet regjimit se nuk mund të mbetet i pandëshkuar”, deklaroi Ahmed Ramadan, shef i shërbimit për media të Koalicionit kombëtar sirian.

Izraeli, ndërkohë, shfaqi mbështetje të plotë për sulmet e SHBA-së ndaj bazës siriane të FAU dhe i cilësoi si “mesazh të fuqishëm” të cilin duhet ta dëgjojnë Irani dhe Koreja e Veriut, kumtoi kabineti i kryeministrit, Benjamin Netanjahu.

“Izraeli tërësisht e mbështet vendimin e presidentit, Donald Tramp dhe shpreson se ky mesazh i vendosmërisë, si përgjigje ndaj regjimit të Bashar Asadit, do të dëgjohet jo vetëm në Damask por edhe në Teheran, Phenian dhe në vende të tjera”, thuhet në kumtesën e Kabinetit.

Izraeli thekson se “me sulmet Tramp dërgoi mesazh të fuqishëm se nuk do të tolerohet përdorimi dhe përhapja e armëve kimike”.

Guvernatori i provincës siriane Homs, Talal Barazi deklaroi se në bazën në Homs është shkaktuar zjarr i madh pas sulmit raketor.

“Evakuimi i njerëzve nga baza vazhdon. Baza është rreth 45 kilometra në lindje të qytetit Homs dhe shfrytëzohet në luftimet kundër terroristëve”, deklaroi Barazi.

Në Homs veprojnë edhe pjesëtarë të SHI-së. Përfaqësues të opozitës dhe të kryengritësve thonë se nga baza e Forcave ushtarake ajrore kryhen sulme ndaj të gjitha rajoneve nën kontroll të kryengritësve në Sirinë qendrore dhe veriore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button