Maqedonia në krye me Ivanov dhe “bandën” e Gruevskit po shndërron miqtë në kundërshtarë

Maqedonia ka hypur në “trenin që shkon mbrapshtë” që nuk e çon para dyerve të Bashkimit Evropian, ashtu si që aspiron më shumë se një dekadë, por e kundërta, fati i këtij shteti është i paparashikueshëm. Nëse presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski vazhdojnë të mbajnë peng një popull të tërë në këtë vend, kjo gjë jo që do ta dëmtojë edhe më tutje imazhin e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare por do të ketë konsekuenca edhe te populli si në aspektin social, ekonomik po ashtu edhe të sigurisë. Kështu vlerësojnë për Portalb.mk, njohësit e zhvillimeve gjeopolitike në vend.

Përpos mesazheve për një kohë të shkurtër të Johanes Han, Federika Mogerini si dhe Donald Tusk, edhe në Parlamentin Evropian në Strasburg u fol për shkeljet e vullnetit të shumicës dhe parimeve demokratike në Maqedoni.

Malinka Jordanova nga Instituti për politikë evropiane, thotë për Portalb.mk se pozita ndërkombëtare e Maqedonisë është në rënie të vazhdueshme, duke i shndërruar kështu në kundërshtarë miqtë tanë.

“Nuk është problemi aty se çfarë imazhi po jep Maqedonia, por çështja kryesore është se vendi çdo ditë po bie nga pozita ndërkombëtare. Nga njëra anë bëhet fjalë për standarde demokratike dhe nga ana tjetër paaftësia absolute e udhëheqjes së politikës së jashtme. Kohëve të fundit kemi krijuar kundërshtarë nga shumica e miqve tanë. Do të na duhet shumë kohë, mund dhe politikan konstruktiv dhe zyrtar profesional që të përmirësohet dëmi që është krijuar viteve të fundit”, tha Jordanova.

Ndërkaq për politikologun Deniz Memedi, nuk dihet ende fundi i krizës dhe çfarë përmasa do të merr, por shkuarja në këtë drejtim jo që do ta dëmton edhe më tutje imazhin e saj por do të ketë konsekuenca edhe te populli si në aspektin social, ekonomik po ashtu edhe të sigurisë.

“Komuniteti ndërkombëtar perëndimor që udhëhiqet mbi baza të parimeve dhe vlerave demokratike, sugjeron që edhe Maqedonia të mbështet në po të njëjtat vlera. Fatkeqësisht si vend jemi duke kaluar në një fiasko politik që është temë diskutimi si në kontekst rajonal po ashtu edhe më gjërë. Nuk dihet ende fundi i krizës dhe çfarë përmasa do të merr, por shkuarja në këtë drejtim jo që do ta dëmton edhe më tutje imazhin e saj por do të ketë konsekuenca edhe tek populli si në aspektin social, ekonomik po ashtu edhe të sigurisë”, vlerëson për Portalb.mk, Memedi.

Nga institucionet e BE-së vazhdojnë kritikat e ashpra në llogari të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për shkak të bllokadës së proceseve demokratike.

Ndryshe, Jan Borg nga Këshilli i BE-së të mërkurën e ka potencuar shqetësimin e madh për shkak se ende nuk ka Qeveri në Maqedoni. Ai rikujtoi se kryetari i Këshillit, Donald Tusk gjatë vizitës së fundit në Shkup ka kërkuar aftësi politike dhe unitet në vend. Duke e shprehur përkrahjen për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), Borg tha se Qeveria e re patjetër duhet të punojë në reformat e vendit nëpërmjet realizimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe rekomandimin e Raportit të Pribesë.

“Presim si prioritet të Qeverisë të jenë reformat në dobi të vendit dhe qytetarëve dhe kthimin e vnedit në rrugën evropiane”, tha Borg dhe në fund e përshëndeti rolin e shoqërisë civile në vend dhe porositi se Qeveria e re patjetër duhet t’i realizojë të gjitha obligimet e Marrëveshjes Kornizë.

Neven Mimica në emër të Komisionit Evropian gjithashtu e theksoi shqetësimin në lidhje me refuzimin e Ivanovit për ndarje të mandatit.

“Kërkojmë nga Ivanovi që t’i respektoj rezultatet e zgjedhjeve dhe të lejojë funksionim të demokracisë. Jemi të shqetësuar pasi që retorika nxitëse e disa aktorëve politik i rrezikon marrëdhëniet ndëretnike”, tha Mimica.

Formimi i Qeverisë së shpejti nuk do të ishte mjaftueshëm, porositi Mimica, duke shtuar se “do të iniciojnë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reforma të sundimit të ligjit. PSP duhet të fitojë kohë dhe resurse që ta mbarojë punën”, transmeton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button