Hazbi Lika: Ziadin Sela e ka kuptuar me kë ka punë

Kandidati për deputet i BDI-së në Njësinë nr. 6, Hazbi Lika ka rideklaruar qëndrimin e partisë se, përplasjet brendpartiake të PDSH-së nuk përbëjnë mundësi për të përfituar politikisht.

Gjatë pjesëmarrjes në një emision të TV USKANA-s, Lika tha se, BDI bazohet vetëm në ofertën e saj dhe se nuk i hyjnë në punë zhvillimet e brendshme të partive të tjera.

Por i pyetur se si i vlerëson këto zhvillime, Lika thotë se, shkaku i tyre duhet kërkuar të mënyra e drejtimit të PDSH-së nga kreu i saj, Menduh Thaçi.

“Nuk mund ta uroj e përgëzoj Selën, por ai e ka kuptuar se nuk shkon dhe ka bërë veprimin e tij. Sepse, po të kthehesh prapa, kjo parti gjatë zgjedhjeve lokale u tha njerëzve ‘ju bëftë helm uji i Tetovës’. Pastaj u deklarua (nga Thaçi) se ‘PDSH-në e kam themeluar vetë dhe është firmë për mua’. Ziadini e ka kuptuar këtë dhe duket se nuk është i gatshëm t’i shërbejë firmës së tij”, thotë Lika.

Ai shprehet se, PDSH ka mungesë oferte dhe se, po përpiqet të përfitojë me ofendime e me sulme të pabaza.

“Unë besoj se popullit shqiptar i kanë ardhur në majë të hundës këto ofendime, dhe se nuk do t’i pranojë si oferta politike, sepse oferta politike është krejt diçka tjetër. PDSH nuk ka arritur të tregohet si opozitare, ku si referencë do të ketë qytetarët, domethënë asnjëherë nuk janë përpjekur që nga kritikat e tyre të përfitojnë banorët, por nga kritika që kanë bërë ata kanë përfituar vetë ata, për t’i mbrojtur pasuritë e tyre, thjesht për t’i zgjidhur problemet e tyre”, thotë Lika.

Lajme të ngjashme

Back to top button