Identifikohet sulmuesi në metronë në Shën Petërburg

Sulmin e djeshëm me bombë në metronë në Shën Petërburg, me ç’rast jetën e humbën të paktën 11 persona, ndërsa janë plagosur 51, e ka kryer një vetëvrasës me bombë, i cili është identifikuar si Akbarzhon Xhalilov, i lindur në Kirgizi në vitin 1995.

Komiteti shtetëror i Kirgizisë për siguri nacionale sot kumtoi se Xhalilov është shtetas rus, me origjinë nga qyteti Osh në Krigizinë Jugore.

Paraprakisht, mediat ruse, duke iu referuar burimeve të policisë, njoftuan se sulmuesi vetëvrasës me bombë, i cili është identifikuar si “burrë 23-vjeçar nga Azia Qendrore”, bombën në stacionin e metrosë  e ka futur përmes çantës së tij.

Disa media ruse nga ana tjetër publikuan se sulmuesi është identifikuar si Maksim Arishev (21), i cili është shtetas i Kazakistanit. Megjithatë, zëvendësdrejtori i Komitetit të Kazakistanit për siguri nacionale, Nirgali Bilisbekov i përgënjeshtroi pohimet e tilla, duke theksuar se sulmuesi i Shën Petërburgut “ka lindur në Azinë Qendrore, por nuk është nga Kazakistani”.

Mediat informuan se policia gjatë kontrollit të kamerave të sigurisë paraprakisht ka regjistruar një person, për të cilin ka ekzistuar dyshimi se ndoshta është bombarduesi-vetëvrasës, por ai shumë shpejtë është paraqitur në stacionin e policisë, duke hedhur poshtë çfarëdo lidhshmërie me sulmin.

Siç njofton TASS, policia ruse mbrëmë lëshoi urdhër arrest për dy persona të cilët mund të kenë lidhje me shpërthimin në metronë në Shën Petërburg.

“Dy persona janë në kërkim për shkak të dyshimit se e kanë planifikuar shpërthimin. Për njërin person dyshohet se e ka vendosur mjetin shpërthyes në vagon, ndërsa për tjetrin se ka vendosur bombë në stacionin e metrosë”, deklaroi një burim anonim i policisë.

Deri më tani askush nuk e ndërmori përgjegjësinë për sulmin në Shën Petërburg.

Grupi xhihadist Shteti Islamik (SHI) vitin e kaluar ju bëri thirrje ithtarëve të tij të kryejnë sulme në Rusi, në shenjë hakmarrjeje për shkak të intervenimit të saj në Siri, ku forcat ruse e mbështesin presidentin sirian, Bashar Asad.

Sipas burimeve të sigurisë, të paktën 7.000 shtetas të ish-republikave sovjetike, prej të cilave rreth 2.900 qytetarë të Rusisë, u janë bashkuar grupeve islamiste në Siri dhe Irak, para së gjithash SHI-së.

Me rastin e sulmit, presidenti rus mbrëmë mbajti takim të jashtëzakonshëm me përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë dhe për zbulim.

Shpërthimi ndodhi dje pasdite, rreth orës 13:40 sipas kohës së mesme evropiane, në njërin prej trenave të metrosë në Shën Petërburg midis stacioneve “Instituti teknologjik” dhe “Sheshi Senaja”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button