Interpol lëshon fletëarreste të kuqe për tre persona nga Serbia

Interpol më 24 mars ka njoftuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY) se ka lëshuar fletëarreste të kuqe lidhur me urdhërarrestet e pa realizuara në rastin Jojiç dhe të tjerët pasi nuk janë plotësuar kushtet për arrestimin dhe dorëzimin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Fletëarrestet e kuqe me të cilat kërkohet locimi dhe arrestimi i të akuzuarve Petar Jojiç, Jove Ostojiç dhe Vjerica Radeta, Interpol i ka lëshuar në bazë të kërkesës së Gjykatës Ndërkombëtare në pajtim me urdhërin e Kolegjit gjyqësor I. Fletëarrestet e kuqe kanë hyrë në fuqi më 16 mars 2017.

“Petar Jojiç, Jovo Ostojiç dhe Vjerica Radeta, janë akuzuar për shpërfillje të gjykatës për shkak se, siç pretendohet, kanë kërcënuar, frikësuar, ofruar ryshfet ose në mënyra të tjera kanë ndikuar ndaj dy dëshmitarëve në gjyq në rastin kundër Vojislav Shesheljit, si dhe lidhur me procedurat për mospërfillje të gjykatës që udhëhiqen kundër tij”, thuhet nga ICTY.

Serbia që nga 19 janari 2015 nuk ka kryer urdhërat për arrestimin dhe dorëzimin e të akuzuarve.

Meqë Serbia akoma nuk ka përmbushur detyrimin e saj për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare, siç thuhet në deklaratën e këtij institucioni, në përputhje me nenin 29 të Statutit të ICTY, Kolegji gjyqësor I më 5 tetor ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, ndërsa më 29 nëntor 2016 është hequr shenja e konfidencialitetit.

“Gjykata ndërkombëtare këtë çështje e ka ngritur disa herë para Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Herën e fundit në letrën e 1 marsit 2017, presidenti Agius i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të sigurojë thirrje për përgjegjësi, të pengojë pandëshkueshmërinë dhe të marrë masa të nevojshme për të siguruar që Serbia të veprojë sipas urdhërave të Tribunalit, në përputhje me detyrimet e saj dhe u bëri thirrje shteteve anëtare për të siguruar arrestimin dhe transferimin e të akuzuarve”, thuhet më tej.

Fletëarrestet e kuqe të cilat janë lëshuar nga Interpol theksojnë edhe më tej nevojën urgjente që të akuzuarit të transferohen në Gjykatën ndërkombëtare për të rrjedhur procedura në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë para se Gjykata Ndërkombëtare të mbyllet kah fundi i vitit 2017.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button